Kurti pas takimit me presidenten: Duhet të jemi bashkë për shumë sfida shtetërore

Kurti pas takimit me presidenten: Duhet të jemi bashkë për shumë sfida shtetërore

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente e Kosovës, vendi tashmë i ka institucionet gjithësisht funksionale, duke theksuar se nuk ka kohë për të humbur dhe se institucionet duhet të bashkërendohen për përballimin e sfidave shtetërore

Pas takimit të parë me presidenten e re, Kurti tha se ka gjetur mirëkuptim, gatishmëri dhe vullnet për bashkëpunim, ndërsa theksoi se institucionet duhet të punojnë së bashku për interesin shtetëror dhe publik.

“Ishte një takim i parë me presidenten e re të Republikës, profesoreshen Justina Shiroka Pula, mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha e të përditshme, për interesin shtetëror e publik, për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim. Unë e falënderova shumë zonjën presidente, e cila na ka nderuar me pranimin e saj për kandidaturën të martën, dhe tash na presin shumë punë dhe angazhime, të cilat natyrisht që me vullnet të mirë dhe me gjithë dijen e mundësinë që kemi, do t’i shpjejmë përpara sa më shpejt që mundemi. Republika e Kosovës më në fund, pas më shumë se një viti e gjysmë, ka institucionet gjithësisht funksionale, dhe tash natyrisht që nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, tha ai.

Kurti u shpreh se gjatë takimit ka hasur në gatishmërinë e presidentes së re për bashkërendim institucional në të gjitha aspektet.

“Dhe unë hasa jo vetëm mirëkuptimin, por gatishmërinë, interesin dhe vullnetin e presidentes së re që të bashkërendohemi maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt. Në të njëjtën kohë, ky ishte edhe një shans që të njoftohen ekipet tona, ku unë kisha me vete edhe shefin e stafit të Kryeministrisë, zotëri Flora Masula, zëdhënësin dhe asistenten ekzekutive, por në ditët e javës në vijim zonja presidente do të takohet edhe me institucionet e tjera të shtetit, me ministritë e Qeverisë, sepse duhet t’i bashkojmë që të gjithë, ashtu që të mos jemi vetëm të suksesshëm, por në të njëjtën kohë të jemi edhe të shpejtë në sukseset që na presin, në fitoret në të ardhmen, të cilat janë njëkohësisht edhe shpresë e pritje e qytetarëve të Republikës”, tha ai.

Ndryshe, ky është takimi i parë mes Kurtit e Shiroka-Pulës, pasi kjo e fundit një ditë më parë mori zyrtarisht postin e presidentes së Kosovës.

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Kosovës më 7 tetor, pas një marrëveshjeje të minutës së fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet dhe Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi