– Parisi ka nxjerrë disa urdhra që ndalojnë transportin e karburantit dhe gazit të ndezshëm në kontejnerë individualë.
Qeveria franceze njoftoi të martën një dislokim të gjerë të forcave të sigurisë për protestat mbarëkombëtare të planifikuara për të shtunën, transmeton Anadolu.
Kryeministri Sebastien Lecornu i tha Asamblesë Kombëtare se do të ketë dislokim “masiv” të forcave të sigurisë për “fazën e dytë” të mobilizimit.
Edhe ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, u shpreh në të njëjtën linjë me Lecornun, duke theksuar se do të “rritet dislokimi” si në aspektin e “burimeve”, ashtu edhe të “reagimit të shpejtë”, raportoi transmetuesi BFMTV.
Qeveria njoftoi gjithashtu se orët policore gjatë natës, të vendosura në disa qytete, do të zgjaten edhe për një natë të dytë “aty ku situata e kërkon”, pas demonstratave të dhunshme të fundjavës kundër kostos së lartë të jetesës.
Prefektura e policisë së Parisit nxori gjithashtu disa urdhra që ndalojnë transportimin e karburantit dhe gazit të ndezshëm në kontejnerë individualë deri të enjten, me qëllim parandalimin e trazirave dhe dhunës gjatë protestave.
Masat zbatohen në gjithë zonën metropolitane të Parisit dhe përfshijnë gjithashtu ndalimin e mbajtjes së pajisjeve mbrojtëse brenda një rrezeje prej 100 metrash nga shkollat e mesme dhe institucionet e arsimit të lartë, si dhe ndalimin e blerjes dhe posedimit të mjeteve piroteknike.
Rreth 550.000 persona morën pjesë në 110 demonstrata në mbarë Francën të shtunën, përfshirë 110.000 në Paris, ndërsa në gjithë vendin u regjistruan rreth 400 arrestime.