– Ambasada holandeze tha se Ministria e Jashtme e Holandës ka urdhëruar mbylljen si masë paraprake, deri në një njoftim të mëtejshëm
Holanda ka mbyllur përkohësisht për publikun ndërtesën e ambasadës së saj në kryeqytetin egjiptian Kajro, mes protestave të zhvilluara jashtë ambienteve të saj, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj zyrtare në Facebook, ambasada holandeze tha se Ministria e Jashtme e Holandës ka urdhëruar mbylljen si masë paraprake, deri në një njoftim të mëtejshëm.
“Si masë paraprake, ndërtesa e Ambasadës së Holandës në Kajro është e mbyllur për publikun deri në një njoftim të mëtejshëm”, thuhet në deklaratë.
Ambasada bëri të ditur se personat që kishin caktuar takime ishin njoftuar ose do të njoftoheshin së shpejti për ri-caktimin e tyre. Ajo shtoi se mbyllja e përkohshme nuk do të ndikojë në shërbimet e ofruara nga VFS Global në Kajro.
Ambasada gjithashtu këshilloi personat që kanë nevojë për ndihmë urgjente konsullore të kontaktojnë linjën e saj telefonike të emergjencës.
Sipas kanalit televiziv egjiptian Al-Qahera News, vendimi vjen pas protestave të zhvilluara javën e kaluar jashtë Ambasadës së Holandës në Kajro, ku dhjetëra egjiptianë kërkuan lirimin e Ahmed Nasserit, zv/kryetarit të Unionit jozyrtar të të Rinjve Egjiptianë Jashtë Vendit, pas ndalimit të tij në Holandë.
Më 13 tetor, ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, i kërkoi homologut të tij holandez, Tom Berendsen, të sigurojë mbrojtjen e duhur për ambasadën e Egjiptit në Hagë, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961 dhe parimin e reciprocitetit.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Egjiptit, të dy ministrat ranë dakord të trajtojnë çështjet e pazgjidhura, duke ruajtur marrëdhëniet dypalëshe miqësore.
Bisedimet u zhvilluan pas qarkullimit në rrjetet sociale të videove që tregonin një shtetas egjiptian duke mbajtur pankarta me kritika ndaj autoriteteve egjiptiane, në praninë e efektivëve të policisë holandeze.
Gjatë telefonatës, Abdelatty kërkoi gjithashtu sqarime lidhur me ndalimin e një shtetasi egjiptian në Holandë dhe bëri thirrje për lirimin e tij të shpejtë.