Hamas: Për planin e armëpushimit në Gaza po konsultohemi me grupet e tjera palestineze

Hamas thotë se po konsultohet me fraksionet e tjera palestineze para se të japë një përgjigje zyrtare ndaj propozimit më të ri për armëpushim në Gaza dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve, të propozuar nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten në mëngjes se pret të dijë brenda 24 orëve nëse Hamas ka pranuar planin, raporton BBC.

Dy ditë më parë, Trump tha se Izraeli kishte pranuar kushtet për një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit palët do të punonin për përfundimin e luftës 20-mujore.

Ndërkohë, ushtria izraelite vazhdon të bombardojë pozicione në të gjithë Rripin e Gazës. Gazetarët lokalë raportuan se dëgjuan shpërthime dhe të shtëna të premten në mëngjes, kur helikopterët dhe artileria izraelite goditën zonën jugore të Khan Yunisit.

Gjatë natës, të paktën 15 palestinezë u vranë në sulme ndaj dy tendave ku ishin strehuar të zhvendosurit në Khan Yunis, njoftoi spitali lokal Nasser.

Në një komunikatë të publikuar herët të premten, Hamas tha se po diskuton me udhëheqësit e fraksioneve të tjera palestineze propozimin e armëpushimit, të përcjellë nga ndërmjetës të Katarit dhe Egjiptit.

Hamas garantoi se do t’u dorëzonte ndërmjetësve “vendimin përfundimtar” pas konsultimeve, dhe më pas do ta bënte publik zyrtarisht.

Mendohet se propozimi parashikon lirimin gradual të 10 pengjeve izraelite të gjalla dhe dorëzimin e trupave të 18 pengjeve të tjerë në këmbim të të burgosurve palestinezë në gjendje të rëndë në burgjet izraelite.

Një nga kërkesat kryesore të Hamasit është vijimi i papenguar i furnizimit me ushqime dhe ndihma mjekësore për Gazën. Sipas propozimit, sasi të mjaftueshme do të hynin menjëherë me përfshirjen e Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq.

Raportohet se plani parashikon edhe tërheqjen graduale të forcave izraelite nga disa pjesë të Gazës.

Mbi të gjitha, Hamas kërkon garanci që operacionet ajrore dhe tokësore izraelite nuk do të rifillojnë pas përfundimit të armëpushimit 60-ditor.

Mendohet se propozimi përcakton nisjen e menjëhershme të negociatave për përfundimin e luftës dhe lirimin e pengjeve të mbetura, që në ditën e parë pas arëëpushimit.

Trump tha të premten në mëngjes se pret të dijë “brenda 24 orëve” nëse Hamas do të pranojë propozimet.

Nëse po, ndiqet fillimi i bisedimeve indirekte formale para vizitës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington javën e ardhshme.

Kategoritë
BotaLajme