Erdogan kërkon takim me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, në tryezë situata në Siri

Recep Tayyip Erdogan, presidenti i Turqisë, zyrtarisht ka kërkuar një takim me liderin e SHBA-së, Donald Trumpin, në Shtëpinë e Bardhë, raporton Reuters.

Edhe pse nuk ka një konfirmim zyrtar, Reuters pretendon se zyra e presidentit turk ka kontaktuar ekipin e Trumpit dhe ka kërkuar që takimi të zhvillohet në fund të prillit.

Trump dhe Erdogan kanë biseduar disa herë me telefon që nga ndryshimi i administratës në SHBA dhe kanë pasur një marrëdhënie të mirë që nga mandati i parë i Trumpit.

Sipas informacioneve të Reutersit, Erdogan dëshiron të diskutojë me Trumpin për situatën në Ukrainë, por edhe për Sirinë. Turqia, si një vend fqinj me Sirinë, synon të vendosë stabilitet në këtë shtet përmes një partneriteti me SHBA-në.

Megjithëse marrëdhëniet mes Erdogan dhe Trump janë shumë të mira, raportet midis SHBA-së dhe Turqisë kanë pasur disa periudha të vështira vitet e fundit.

Kjo kryesisht për shkak të mbështetjes amerikane për kurdët, një grup që Ankaraja e konsideron terrorist, si dhe për shkak të blerjes së armëve nga Rusia nga ana e Erdoganit.

Kategoritë
BotaLajme