Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, ka hedhur poshtë akuzat e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandić, se ai dhe DPS-ja kishin rol të drejtpërdrejtë politik dhe logjistik në ngjarjet e luftës gjatë viteve ’90.
Në një intervistë për “Pobjeda”, Đukanović hodhi poshtë pretendimet e Mandićit se Mali i Zi i dërgonte karburant Republikës Srpska dhe në këtë mënyrë kontribuonte në zgjatjen e luftës në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe akuzat që e lidhin atë me gjenocidin në Srebrenicë.
“Kohët e fundit janë shtuar shpifjet e paturpshme të nacionalistëve serbomëdhenj dhe shërbëtorëve të tyre në Mal të Zi, sipas të cilëve unë qenkam hiç më pak se një nga përgjegjësit për gjenocidin në Srebrenicë”, theksoi Đukanović.
Ai tha se është vërtetuar se Ushtria e Republikës Federale të Jugosllavisë i kishte ofruar ndihmë të madhe logjistike Ushtrisë së Republikës Srpska, përfshirë municion, karburant, pjesë rezervë, trajnime dhe ndihmë teknike.
“Është vërtetuar se në vitin 1993, kur u refuzua plani Vance-Owen, 99,6 për qind e buxhetit të Republikës Srpska vinte nga Beogradi. Ekzistonte një sistem që, përmes Ushtrisë së Jugosllavisë, i siguronte ndihmë Ushtrisë së Republikës Srpska gjatë gjithë kohës. Tribunali i Hagës ka konstatuar se Ratko Mladić ishte pjesë e atij sistemi dhe se, si oficer i Ushtrisë së Republikës Srpska, e kishte ruajtur statusin dhe të ardhurat përmes strukturave të Ushtrisë së Jugosllavisë”, tha Đukanović.
“Pra, për tanket e tyre nuk u nevojitej ‘nafta e Đukanovićit’, dhe as nuk i vranë me tanke më shumë se 8 mijë myslimanë boshnjakë në Srebrenicë”, theksoi ai.
Đukanović hodhi poshtë edhe pretendimin e Mandićit se lufta në Bosnjë e Hercegovinë do të kishte përfunduar në vitin 1994, duke rikujtuar se Kuvendi i Republikës Srpska kishte refuzuar planet e paqes në vitet 1993 dhe 1994.
Ai vlerësoi se emri i tij po përdoret në përpjekje për të fshehur përgjegjësinë e të tjerëve për krimet e luftës të kryera gjatë viteve ’90.
“Ata nuk mund ta fshehin turpin e tyre historik dhe as atë të sotëm, edhe kur përpiqen ta bëjnë këtë duke përdorur emrin e Đukanovićit”, deklaroi Đukanović.
