Bill Clinton: Jam lodhur duke parë myslimanët të poshtërohen vetëm pse janë myslimanë

Bill Clinton: Jam lodhur duke parë myslimanët të poshtërohen vetëm pse janë myslimanë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ka reaguar ndaj konflikteve që lidhen me fenë dhe kulturën, duke shprehur shqetësimin për poshtërimin e myslimanëve vetëm për shkak të besimit të tyre.

Duke folur në një aktivitet ndërfetar në Florida, Clinton tha se në çdo komunitet fetar mund të ketë individë me qëllime të këqija, duke theksuar se një gjë e tillë nuk është karakteristikë e ndonjë feje të caktuar.

Clinton shprehu shqetësimin e tij për tensionet dhe konfliktet që krijohen mbi baza fetare dhe kulturore.

“Jam lodhur duke parë myslimanët të poshtërohen vetëm pse janë myslimanë”, tha Clinton.

KUJTOI NJË AJET QË IA KISHTE LEXUAR VAJZA E TIJ

Gjatë fjalimit, Clinton kujtoi edhe një ajet nga Kurani, të cilin ia kishte treguar vajza e tij pasi kishte lexuar të gjithë Kuranin në moshën 15-vjeçare.

Clinton tregoi se vajza e tij i kishte thënë: “Baba, lexoje këtë.”

Ish-presidenti amerikan e përmblodhi mesazhin e ajetit duke thënë se Zoti i ka krijuar njerëzit të ndryshëm jo që ta përçmojnë njëri-tjetrin, por që të njihen dhe të mësojnë nga njëri-tjetri.

Clinton theksoi se kjo qasje dëshmon rëndësinë e mirëkuptimit të ndërsjellë mes njerëzve me besime dhe kultura të ndryshme.

Kategoritë
BotaLajme