Bastoni: Yamal ndoshta lojtari më i mirë me të cilin jam përballur, Interi ka mësuar nga ndeshja e parë

Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, ka pranuar se Lamine Yamal mund të jetë lojtari më i mirë me të cilin ai është përballur në karrierën e tij dhe beson se ‘Nerazzurrët’ kanë mësuar nga gabimet që kanë bërë në ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Barcelonës. 

Ylli italian iu bashkua trajnerit të tij Simone Inzaghi, në konferencën për shtyp para ndeshjes e cila do të luhet nesër (e martë) në ‘Giuseppe Meazza’. 

‘Nerazzurrët’ do të jenë nikoqir të blaugranasve në Milan pas një barazimi spektakolar 3-3 në ndeshjen e parë në ‘Montjuic’. 

Sky Sport Italia e pyeti Bastonin nëse Yamal, njëri nga golashënuesit e Barcelonës ndaj Interit javën e kaluar, ishte lojtari më i mirë me të cilin ishte përballur në karrierën e tij. 

“Mendoj se po. Jam përballur me të në Kampionatin Evropian ndaj Spanjës dhe ai nuk ishte në këtë nivel ende. Isha i impresionuar se sa shumë është përmirësuar ai”. 

“Kam luajtur ndaj shumë lojtarëve të mëdhenj dhe në aspektin e moshës dhe aftësisë për të krijuar diçka, ai është njëri nga më të mirët, nëse jo më i miri”. 

Sa i përket ndeshjes Bastoni tha se do të japin gjithçka nga vetja për të siguruar finalen e Munichut. 

“Ne do të japim 200 për qind, e dimë se kjo nuk ndodh çdo vit. Me zi po presim që të vijë dita e nesërmë”. 

“Ne kemi shikuar shumë video, por të luash ndaj tyre është krejtësisht ndryshe. Ne do të mësojmë nga ndeshja e parë. Kemi bërë disa pasime të këqija që kanë mundur të krijojnë raste për gol”, përfundoi ai.

Kategoritë
LajmeSport