Avioni nga Tel Avivi ulet me detyrim në Sofje pas alarmit për bombë, shoqërohet nga avionë luftarakë

Avioni nga Tel Avivi ulet me detyrim në Sofje pas alarmit për bombë, shoqërohet nga avionë luftarakë

Një avion i kompanisë Austrian Airlines, që po fluturonte nga Tel Avivi drejt Vjenës, është devijuar mbrëmë në mënyrë të jashtëzakonshme dhe është ulur me detyrim në aeroportin e Sofjes, pas një alarmi për bombë, konfirmuan autoritetet përkatëse.

Sipas Ministrisë bullgare të Transportit, në avionin Airbus A320 ndodheshin 51 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.

Menjëherë pas uljes në pistën e aeroportit “Vasil Levski”, u aktivizua protokolli për situata emergjente, ndërsa të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit u evakuuan me sukses dhe pa lëndime.

Seriozitetin e situatës e dëshmoi edhe reagimi i Forcave të Armatosura të Bullgarisë. Forcat ajrore bullgare ngritën menjëherë në fluturim një avion luftarak MiG-29, i cili e shoqëroi avionin e pasagjerëve në hapësirën ajrore deri në uljen e sigurt.

Njësitë e specializuara të policisë dhe ekipet antiterroriste kryen një kontroll të detajuar të avionit për mjete shpërthyese, ndërsa hetimet për të gjithë ngjarjen janë duke vazhduar.

Nga Austrian Airlines konfirmuan incidentin, duke bërë të ditur se ishte marrë një kërcënim, por nuk dhanë hollësi të tjera operative. Grupi mëmë Lufthansa ende nuk është deklaruar zyrtarisht lidhur me incidentin.

Të dhënat e shërbimeve për gjurmimin e fluturimeve tregojnë se avioni i fluturimit OS82 ishte nisur nga aeroporti “Ben Gurion” të dielën në mbrëmje.

Në momentin kur ekuipazhi mori paralajmërimin, avioni ndodhej në hapësirën ajrore të Rumanisë. Rreth 30 minuta më vonë ai u drejtua drejt kryeqytetit bullgar, ku u ul afërsisht tri orë pas nisjes nga Izraeli.

Incidenti ndodhi në një periudhë të shënuar nga disa ngjarje serioze të fundit në hapësirën ajrore evropiane dhe atë të Lindjes së Mesme.

Muajin e kaluar u parandalua një tentativë për rrëmbimin e një avioni të Flydubai që po fluturonte drejt Tel Avivit, pasi kapiteni ishte sulmuar. Pasagjerët dhe ekuipazhi arritën ta neutralizonin sulmuesin dhe avioni u ul në mënyrë të sigurt në Arabinë Saudite.

Kategoritë
BotaLajme