Turqia planifikon që në buxhetin e vitit 2027 t’i rrisë me 229 për qind shpenzimet për blerjen e armëve, municioneve dhe sistemeve ushtarake, deklaroi ministri turk i Thesarit dhe Financave, Mehmet Şimşek, në Forumin Ekonomik të Stambollit.
Sipas portalit Clash Report, qeveria ka parashikuar rreth 45 miliardë dollarë për mbrojtjen dhe 26 miliardë dollarë shtesë për sigurinë e brendshme.
Şimşek tha se Turqia do të vazhdojë ta forcojë fuqinë e saj parandaluese ushtarake, pasi konfliktet po e ndryshojnë panoramën globale të sigurisë.
Rritja lidhet me furnizimet ushtarake
Sipas Clash Report, rritja prej 229 për qind nuk i referohet të gjithë buxhetit të mbrojtjes, por vetëm blerjes së armëve, municioneve dhe sistemeve të armatimit.
Përmes këtij hapi, Ankaraja synon të zgjerojë kapacitetet ushtarake dhe të vazhdojë investimet në industrinë vendore të mbrojtjes.
Projektbuxheti duhet ende të miratohet nga Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë, e cila do t’i përcaktojë shumat përfundimtare.
Detajet për financimin e programeve të veçanta të furnizimit dhe projekteve të mbrojtjes ende nuk janë bërë publike.
Eksportet mbi 10 miliardë dollarë
Eksportet e industrisë turke të mbrojtjes dhe aviacionit gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 arritën në rreth 6,9 miliardë dollarë, ndërsa gjatë 12 muajve të fundit tejkaluan 10 miliardë dollarë, sipas Clash Report.
Şimşek deklaroi se Turqia po i afrohet listës së dhjetë eksportuesve më të mëdhenj të armëve në botë.
