Aktakuzë për keqpërdorim të detyrës ndaj zyrtares së lartë në Urbanizmin e Komunës së Prizrenit

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtares së lartë për planifikim në Drejtorinë e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.

Në njoftim theksohet se Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër zyrtares me inicialet Sh.O.K., për shkak të dyshimit të bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Sipas aktakuzës, e pandehura Sh.O.K., si person zyrtar – Zyrtare e Lartë për Planifikim pranë Drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm personit tjetër – të dëmtuarit, E.S., në atë mënyrë që investuesit M.B-B. SH.P.K, me pronar, M.R., i lejon ndryshimin e projektit për të cilin është dhënë leja ndërtimore, “Banim Kolektiv, Afarizëm dhe Administratë me Etazhitet 2B+P+5+PH’’, në Prizren, ku në bazë të Super Ekspertizës së punuar nga U.P. “Hasan Prishtina” – Fakulteti i Arkitekturës, është konstatuar se e pandehura ka vepruar në kundërshtim me Lejen Ndërtimore, Kushtet Ndërtimore dhe normativën ligjore. Ashtu që, sipërfaqja e zgjeruar është 15.96% dhe përfitimet e investitorit nga sipërfaqja shtesë janë orientimisht 154.220 euro në total”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, raporton.
Aty theksohet se me këto veprime, e njëjta dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në komunikatë, raporton Telegrafi.

Gjithashtu theksohet se prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës, që të pandehurës së bashku me dënimin kryesor t’i shqiptoj dënimin plotësues respektivisht ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.

Kategoritë
LajmeVendi