Lista Studentore, lëvizja që doli nga protestat në Serbi, do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 250 kandidatë, duke sfiduar Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.
Gazeta britanike “The Guardian” shkruan se, në rast të një rezultati të ngushtë, partitë që përfaqësojnë hungarezët, boshnjakët dhe shqiptarët në Serbi mund të luajnë rol vendimtar në përcaktimin se kush do ta formojë qeverinë.
“The Guardian” vlerëson se ky është sfidimi më serioz me të cilin Vuçiq është përballur që nga ardhja e tij në pushtet. Bashkëbiseduesit e gazetës nuk e përjashtojnë mundësinë e një gare shumë të ngushtë, në të cilën asnjëra palë mund të mos e pranojë humbjen si legjitime.
Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë në fund të shtatorit, pesë muaj para përfundimit të mandatit të tij të dytë dhe të fundit, dhe shpalli zgjedhje të parakohshme. Synimi i tij është që të vazhdojë të qëndrojë në pushtet si kryeministër dhe në krye të SNS-së.
Studentët, ndërkohë, shpresojnë të përsërisin skenarin e Hungarisë, ku aleati i Vuçiqit, Viktor Orban, humbi zgjedhjet në prill.
PROTESTAT NISËN PAS TRAGJEDISË NË NOVI SAD
Protestat në Serbi nisën pas shembjes së strehës së betonit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Ende nuk ka një konstatim zyrtar përfundimtar mbi shkakun e tragjedisë dhe asnjë zyrtar nuk është mbajtur përgjegjës.
Studentët kanë shmangur partitë politike dhe modelin tradicional të udhëheqjes, ndërsa kandidatët dhe programin e tyre i kanë përzgjedhur përmes plenumeve.
Shumica e kandidatëve janë propozuar nga fakultetet dhe në mesin e tyre ka më shumë se 160 doktorë shkencash.
Çështja e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, sipas programit të tyre, do t’i lihej referendumit, ndërsa Kosova konsiderohet pjesë përbërëse e Serbisë.
SONDAZHET JAPIN REZULTATE TË NDRYSHME
Sondazhet e publikuara deri më tani ndryshojnë ndjeshëm nga njëri-tjetri.
Një hulumtim i Qendrës për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) dhe Universitetit Stanford, i publikuar në korrik, tregonte mbështetje prej 45 për qind për studentët dhe 36 për qind për SNS-në. Megjithatë, ky sondazh ishte realizuar para dorëheqjes së Vuçiqit.
Sondazhet më të fundit vendore i japin përparësi SNS-së, por opozita pretendon se agjencitë që i kanë realizuar ato janë të afërta me pushtetin.
Sipas një analize të CRTA-s nga shtatori, shumica qeverisëse ka marrë 69 për qind të kohës televizive në Serbi, ndërsa nga hapësira e mbetur kushtuar opozitës, 42 për qind kishte ton negativ.
AKUZA PËR VOTIMIN NË DIASPORË
Lista Studentore ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë se po manipulon organizimin e votimit në diasporë, duke mbajtur të hapura qendrat e votimit në zonat ku Vuçiq ka mbështetje të fortë, si në Republikën Sërpska, ndërsa i mbyll ato në disa pjesë të Amerikës së Veriut.
Ministria nuk iu përgjigj pyetjeve të “The Guardian”, ashtu si edhe zyrtarët e SNS-së.
Gordana Čomić, ish-anëtare e Partisë Demokratike dhe ish-ministre në një qeveri të SNS-së, pretendon se studentët po e ekzagjerojnë praninë e tyre në zonat rurale dhe parashikon se ata mund të fitojnë rreth 80 nga 250 mandatet parlamentare.
“Ata nuk janë në terren. Kjo është propagandë. Nuk e kanë idenë se kush janë votuesit e tyre”, tha ajo.
Konsulenti zgjedhor Radivoje Grujić vlerëson se mundësia e vetme për ndryshim është mobilizimi i qytetarëve që në zgjedhjet e mëparshme nuk kanë dalë për të votuar.
Për shkak të akuzave të mëparshme për blerje votash, frikësim të votuesve dhe manipulim me fletëvotime, studentët planifikojnë të angazhojnë një numër rekord vëzhguesish në zgjedhje.
