30,550 euro të padeklaruara fshihen në veturë, kapen në Bërnjak

30,550 euro të padeklaruara fshihen në veturë, kapen në Bërnjak

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar futjen e 30,550 eurove të padeklaruara në territorin e Kosovës, në pikën kufitare Bërnjak.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrolleve të rregullta, zyrtarët doganorë kanë përzgjedhur për kontroll një automjet me targa të huaja, i cili po hynte në Kosovë.

Gjatë intervistimit, udhëtari ka deklaruar se nuk kishte mallra apo mjete monetare për të deklaruar. Megjithatë, pas krijimit të dyshimeve, zyrtarët kanë kontrolluar automjetin dhe udhëtarin.

Gjatë kontrollit, në një hapësirë të fshehtë në dyshemenë e automjetit janë gjetur 30,550 euro para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar.

Dogana ka rikujtuar se, bazuar në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart 10 mijë euro ose më shumë, është i obliguar që shumën dhe burimin e mjeteve t’i deklarojë me shkrim te zyrtari doganor.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi