Gjykata Themelore në Gjilan ka shqiptuar dënimin prej 25 vjetësh burgim ndaj Egzon Shalltit, i akuzuar për aksidentin e ndodhur në parkun “Bafti Haxhiu” në Viti, ku vdiq Auron Ferizi.
“Trupi gjykues në bazë të dispozitave ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin e gjykon me dënim me burgim prej 25 vitesh. Në bazë të nenit 515, paragrafi 1 dhe neni 85, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të akuzuarit lartëpërmendur i është shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim, me institucionin e kujdesit shëndetësor e cila masë do të ekzekutohet në institucionin e psikiatrisë forenzike të Kosovës në Prishtinë”, u tha në vendim.
Poashtu Shalltit i është i shqiptuar edhe dënimi plotësues, marrja e lejes së vozitjes, instancati prej 5 vitesh, e cila merret kur kryen gjykim të merr formën e prerë.
Ngjarja tragjike ndodhi më 8 shtator 2025, kur, Egzon Shallti, atë kohë 21-vjeçar, ishte duke drejtuar një veturë të tipit “Opel Insignia”, me të cilën goditi pesë persona që ndodheshin në park.
Si pasojë e goditjes, Auron Ferizi pësoi lëndime të rënda trupore dhe, ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në këtë ngjarje u lënduan edhe Mensur Alimi, Egzon Sakipi, Alban Sakipi dhe Valton Gashi.
Vdekja e të riut kishte shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Familjarë dhe qytetarë kishin protestuar në Viti, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
