Dhjetëvjetori i themelimit të Fondacionit Turk Maarif u kremtua me një program të veçantë në Bibliotekën Kombëtare të Kompleksit Presidencial në Beştepe, me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe bashkëshortes së tij, Emine Erdoğan. Programi me temën “10 vjet duke ndërtuar të ardhmen” mblodhi arsimtarë, nxënës, të diplomuar dhe të ftuar nga 66 vende.
Fondacioni Turk Maarif, i cili e përcjell përvojën arsimore të Turqisë në vende të ndryshme të botës, shënoi dhjetëvjetorin e tij me një program ku u prezantuan veprimtaria në gjashtë kontinente, bashkëpunimet ndërkombëtare, arritjet e nxënësve dhe objektivat për të ardhmen.
Në këtë përvjetor u vu në pah qasja arsimore e Fondacionit, e cila ndërthur suksesin akademik me zhvillimin njerëzor dhe moral, duke respektuar nevojat vendore dhe vlerat kulturore të vendeve ku vepron. Gjithashtu, u theksua përkushtimi për ngritjen e cilësisë së arsimit, zhvillimin e dijes dhe forcimin e solidaritetit ndërkombëtar.
Erdoğan: “Suksesi ynë i vërtetë janë historitë njerëzore që qëndrojnë pas këtyre shifrave”
Në fjalën e tij, Presidenti Recep Tayyip Erdoğan falënderoi të gjithë ata që kanë shërbyer në Fondacionin Turk Maarif që nga themelimi dhe që kanë kontribuar në përcjelljen e vizionit arsimor të Turqisë në botë. Ai vlerësoi përkushtimin e punonjësve të Maarif, të cilët ushtrojnë detyrën në vende të ndryshme, shpesh larg familjeve dhe të dashurve të tyre.
Duke kujtuar se Fondacioni sot vepron në gjashtë kontinente dhe në 66 vende, Erdoğan theksoi se suksesi nuk duhet vlerësuar vetëm përmes rritjes së numrave:
“Pa dyshim, ky sukses i arritur në 10 vjet është burim krenarie për të gjithë ne. Megjithatë, për ne çështja nuk kufizohet vetëm te shifrat. Suksesi ynë i vërtetë janë historitë njerëzore që qëndrojnë pas këtyre shifrave. Për ne, thelbësore janë vlerat që sjellim në jetën e fëmijëve që mësojnë në shkollat e Fondacionit Maarif.”
Presidenti Erdoğan nënvizoi se njohuritë dhe vlerat që fitojnë nxënësit marrin kuptim përmes kontributit që ata japin për të ardhmen e vendeve të tyre.
“Thelbësor është kontributi që fëmijët që na janë besuar japin për të ardhmen e vendeve të tyre, si individë të virtytshëm, të aftë, me vizion dhe mision. Për këtë arsye, ne e shohim arsimin ndërkombëtar si një maratonë afatgjatë”, u shpreh ai.
Respekt për historinë, gjuhën dhe kulturën e çdo vendi
Erdoğan tha se Fondacioni Turk Maarif krijon mundësi të reja për fëmijët dhe të rinjtë në një hapësirë të gjerë, nga Azia në Afrikë dhe nga Ballkani në Kaukaz. Krahas pajisjes së nxënësve me dije, ai theksoi rëndësinë e përgatitjes së tyre për jetën dhe të krijimit të lidhjeve të forta e të sinqerta me kultura të ndryshme.
Ai vuri në dukje se përmes shkollave, universiteteve dhe qendrave kërkimore e arsimore, përvoja arsimore e Turqisë përcillet në kontinente të ndryshme. Erdoğan shprehu besimin se të rinjtë që sot arsimohen në shkollat Maarif do t’u shërbejnë vendeve të tyre në fusha të ndryshme dhe do të kontribuojnë në formësimin e së ardhmes së tyre.
Presidenti theksoi se veprimtaria e Fondacionit mbështetet në njohjen dhe respektimin e historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës arsimore të çdo vendi. Ai shtoi se shkollat Maarif marrin parasysh legjislacionin arsimor, kurrikulat dhe veçoritë kulturore të vendeve pritëse.
Duke folur për mësimin e turqishtes, Erdoğan u shpreh se ajo shihet si një mjet që u hap nxënësve dyer dhe horizonte të reja, duke respektuar gjuhët e tjera.
Presidenti Erdoğan tha se një ndër synimet kryesore të themelimit të Fondacionit Turk Maarif ishte krijimi i një strukture të fortë, të besueshme dhe institucionale për veprimtarinë arsimore të Turqisë jashtë vendit.
Në fjalën e tij, ai iu referua edhe luftës kundër strukturave arsimore të lidhura me FETÖ-n jashtë Turqisë. Erdoğan deklaroi se, falë punës së institucioneve përkatëse, në më shumë se 50 vende është mundësuar mbyllja e plotë ose e pjesshme e shkollave të lidhura me këtë organizatë. Ai theksoi se Fondacioni Turk Maarif ka marrë përgjegjësi të rëndësishme në procesin e marrjes në administrim të institucioneve arsimore, duke treguar kujdes që nxënësit të mos dëmtohen dhe arsimimi i tyre të vazhdojë pa ndërprerje.
Duke vlerësuar kontributin e punonjësve të Maarif në këtë proces, Erdoğan përmendi edhe Prizrenin:
“Morët përgjegjësi në kohë të vështira, nuk u dorëzuat përballë pengesave dhe vepruat me guxim. Nuk e zhgënjyet besimin e popullit tonë dhe të familjeve që na besuan fëmijët e tyre. Përmes jush, përgëzoj nga zemra të gjithë anëtarët e familjes Maarif që punojnë me dashuri në skaje të ndryshme të botës, nga Amani në Prizren, nga Karakasi në Kinshasë dhe nga Lahori në Xhakartë.”
Özdil: “Sot ai zë jehon në 66 vende, në gjuhë të panumërta, në mendje dhe në zemra”
Kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Mahmut Mustafa Özdil, në fjalën e tij vlerësoi përvojën dhjetëvjeçare të Fondacionit dhe prezantoi vizionin për të ardhmen. Ai falënderoi Presidentin Erdoğan dhe bashkëshorten e tij, Emine Erdoğan, për mbështetjen e tyre.
Özdil tha se dhjetë vjet më parë nisën rrugëtimin për të forcuar solidaritetin ndërkombëtar dhe për të zgjeruar mundësitë e të mësuarit së bashku dhe të kërkimit të zgjidhjeve të përbashkëta.
Duke theksuar se drejtësia në arsim nuk sigurohet vetëm përmes qasjes në shkollë, ai nënvizoi rëndësinë e marrëdhënies që fëmijët ndërtojnë me kulturën dhe vlerat e tyre kombëtare e shpirtërore. Sipas tij, sfidat arsimore me të cilat përballen vende të ndryshme e bëjnë të domosdoshëm shkëmbimin e përvojave dhe të mësuarit nga njëri-tjetri.
Rrugëtimin e Fondacionit ai e përmblodhi me këto fjalë:
“Dhjetë vjet më parë u nisëm me synimin që ‘në botë të ngrihej një zë i ri’. Sot ai zë jehon në 66 vende, në gjuhë të panumërta, në mendje dhe në zemra.”
Özdil theksoi se përvoja e Turqisë në një hapësirë ku ndërthuren gjuhë, besime, tradita dhe mënyra të ndryshme jetese ofron një bazë të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve të barabarta dhe të drejtpërdrejta me shoqëri të ndryshme.
Duke shpjeguar qasjen e Fondacionit, ai u shpreh:
“Si Fondacioni Turk Maarif, pikërisht mbi këtë bazë u nisëm me një qasje që e bën arsimin pjesë të solidaritetit ndërkombëtar, vlerëson përvojën e shoqërive të ndryshme dhe mbështetet në punën e përbashkët për të ardhmen e fëmijëve, si dhe në zhvillimin e bashkëpunimeve të sinqerta e afatgjata me vendet ku veprojmë.”
Tri shtyllat e vizionit për të ardhmen
Özdil tha se Fondacioni ka ndërtuar një rrjet të gjerë arsimor me mbi 600 institucione në 66 vende. Ai theksoi se përgjegjësia kryesore është t’i përgjigjen besimit të dhënë duke ngritur cilësinë e arsimit, duke thelluar marrëdhëniet dhe duke zhvilluar dijen e përbashkët.
Për arritjen e këtij synimi, ai vuri në dukje nevojën për një ekosistem tërësor arsimor, ku shkolla, mësimdhënësit, drejtuesit, kushtet fizike, familja, teknologjia, puna akademike dhe të diplomuarit mbështesin vazhdimisht njëri-tjetrin.
“Ne po e zhvillojmë këtë ekosistem mbi tri shtylla kryesore: cilësinë dhe thellimin në arsim; prodhimin e dijes dhe drejtësinë në dije; si dhe një model institucional të qëndrueshëm, të mbështetur në cilësi. Besojmë se vetëm kështu mund të bëhemi një institucion që kontribuon në mendimin arsimor ndërkombëtar, mbështetet në të mësuarit e ndërsjellë dhe shërben si pikë referimi”, tha Özdil.
Ai falënderoi Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë, Ministrinë e Arsimit Kombëtar, Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadat, organizatat e shoqërisë civile, arsimtarët, prindërit dhe nxënësit. Özdil theksoi se Fondacioni do të vazhdojë të punojë për një botë më të drejtë, ku fëmijët mund ta shprehin lirisht mendimin e tyre dhe ku askujt nuk i mohohet zëri.
Përvoja dhjetëvjeçare u dokumentua në një libër
Në kuadër të përvjetorit, libri “Dhjetë vjet duke ndërtuar të ardhmen” dokumentoi rrugëtimin ndërkombëtar të Fondacionit Turk Maarif në arsim.
Botimi përfshin shkollat e marra në administrim dhe ato të themeluara në vende të ndryshme, Modelin Ndërkombëtar të Arsimit Maarif, diplomacinë kulturore dhe shkencore, si dhe histori suksesi që vendosin njeriun në qendër.
Duke bashkuar përvojën e programeve arsimore me punën akademike, libri pasqyron zhvillimin institucional të Fondacionit gjatë dhjetë vjetëve dhe vizionin e tij për të ardhmen.
Çmimet Maarif për nëntë nxënës dhe një mësimdhënës
Gjatë programit u ndanë edhe Çmimet Maarif, të cilat synojnë të vlerësojnë arritjet e nxënësve dhe mësimdhënësve të Maarif në vende të ndryshme të botës.
Nëntë nxënës dhe një mësimdhënës u nderuan për sukseset e tyre kombëtare dhe ndërkombëtare në shtatë kategori: Arritje Akademike, Shkencë dhe Teknologji, Gjuhë dhe Turqisht, Përsosmëri Sportive, Kontribut Shoqëror, Kontribut në Arsim dhe Kulturë e Art.
Presidenti Erdoğan përgëzoi fituesit dhe u uroi suksese të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe punonjësve të Maarif. Pas fjalimit të tij, kryetari i Fondacionit, Özdil, i dhuroi një vepër kaligrafike të kaligrafit Necmeddin Okyay me mbishkrimin “Një komb nuk jeton pa arsim”.
Programi u pasurua me një interpretim muzikor nga Kori Maarif. Në të morën pjesë edhe ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Mahinur Özdemir Göktaş, ministri i Arsimit Kombëtar, Yusuf Tekin, ish-kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, İsmet Yılmaz, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Ceremonia përfundoi me ndarjen e çmimeve dhe realizimin e fotografive të përbashkëta.



