Zyra e Personelit në Prizren “perandori” në vetvete

Drejtorët e shkollave në Komunën e Prizrenit nuk i zgjedh Drejtoria Komunale e Arsimit. Që nga viti 2015-të autoritet përgjegjës për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave në këtë komunë është zyra e personelit e këtij qyteti. Ajo thirret në të drejtën ligjore, por dilema që shtrohet është: nëse Zyra e Personelit në Prizren paska të drejtë, a po bëjnë shkelje ligjore të gjitha komunat e Kosovës, në të cilat DKA-të zgjedhin drejtorët e shkollave?

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prizrenit nuk ka autoritet mbi drejtorët e shkollave sepse ata epror e kanë zyrën e personelit. Zahadin Shemsedini drejtor i Arsimit në Komunën e Prizrenit ankohet  në këtë drejtim duke e bërë publik qëndrimin e tij. Për Gazeta e Re Shemsedini thotë: ”Qëndrimi im rreth zgjedhjes së drejtorëve të shkollave është që si në gjithë Komunat tjera edhe në Prizren drejtorët t’i zgjedh Drejtoria e Arsimit”

I pyetur nëse ka pengesa në ushtrimin e autoritetit Shemsedini përgjigjet: “Natyrisht. Meqë zgjedhjen e drejtorëve e bënë zyra e personelit dhe unë nuk kam qasje fare në zgjedhjen e drejtorëve. Vetëm marr njoftime kur të kryhet procedura”.

Ministria e Arsimit as pas dhjetë dite (pyetjet në adresë të zyrës për informim janë dërguar me 14 shkurt),  nuk ktheu përgjigje në pyetjet e gazetarit tonë   rreth kësaj problematike. Duket sikur MASHT-it i ka mjaftuar një reagim i vitit 2015 dhe që nga atëherë ka heshtur.

Tua kujtojmë edhe njëherë se  në vitin 2015 Ministri i Arsimit Arsim Bajrami, konkursin për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave që qe hapur nga Zyra e Personelit në Prizren e cilësonte si të jashtëligjshëm. Ndonëse ministri atëbotë pat paralajmëruar se do të merren masa, në vitin 2017 po heshtë.

“Për MAShT-in janë të papranueshme këto shkelje dhe ne do të marrim masa në përputhje me autorizimet ligjore. Çfarëdo procedimi me këtë çështje në kundërshtim me ligjet është i pavlefshëm dhe dëmton rëndë cilësinë e arsimit në Prizren” pat deklaruar Bajrami në vitin 2015.

Njohësi i çështjeve të Arsimit Skender Susuri tha për Gazeta e Re se  “dispozitat ligjore me të cilat përcaktohen kriteret dhe procedurat për zgjedhjen e drejtorit të institucionit edukativ-arsimor (shkollës) janë të rregulluara (përcaktuara) përmes: Ligjit për arsimin parauniversitar në Kosovë  nr.04/L-032, neni 20 pika 1; Ligjit për arsimin në komunat e Republikës së Kosovës nr.03/L-068, neni 5 pika 4 dhe Udhëzimi administrativ i MASHT-it për procedurat dhe kriteret e zgjedhjes së drejtorit të institucionit edukativ-arsimor nr.8/2014.

Pasi shpalos dispozitat ligjore Susuri shprehet se “nëse analizohen me kujdes dhe i interpretojmë në mënyrë të drejtë këto politika të lartë shënuara, do të vijmë në përfundim, se ka mospërputhje dhe mos-harmonizim ndërmjet tyre, rrjedhimisht krijohen situate të diskutueshme në kontekstin e ligjshmërisë, me rastin e zgjedhjes së drejtorit të institucionit arsimor (shkollës).

“Nëse lexohet dhe interpretohet drejtë neni 5, pika 4 e Ligjit për arsimin në Komunat e Kosovës, zgjedhja e drejtorit bëhet sipas procedurave ligjore për regrutimin dhe kriteret ligjore të përcaktuara nga MASHT-i, nga një komision i caktuar nga Kuvendi Komunal… Kjo krijon hapësirë ligjore që zyra e personalit të ketë të drejtën e publikimit të konkursit dhe zhvillimit të procesit të dhe regrutimit të drejtorit të shkollës, sigurisht duke respektuar kriteret e përcaktuara nga MASHT-i, që në rastin konkret po ndodh në Komunën e Prizrenit”.

Susuri thotë më tej se zyra e personelit edhe nëse po e gjen të drejtën e saj në këtë pjesë të interpretimit po e bënë një shkelje ligjore: “Në këtë proces  kemi një shkelje ligjore ngase komisioni për zhvillimin e procedurës të zgjedhjes së drejtorit nuk po zgjidhet (buron)  nga Kuvendi komunal, siç përcaktohet me dispozitën ligjore në fjalë, por nga zyra e personalit apo institucioni i kryetarit” shprehet Susuri.

Pse vetëm Prizreni e ka gjetur një “vegëz” në ligj dhe vepron ndryshe nga të gjitha qytetet e Kosovës?

I pyetur nëse zgjedhja e drejtorit nga zyra e personelit është politikë e kryetarit të Komunës së Prizrenit, zëdhënësi Ymer Berisha u shpreh.

“Kryetari nuk interferon në kërkesat ligjore. Kryetari vetëm ka kërkuar nga shërbyesit civil të jenë në respektim të ligjit. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak” u përgjigj shkurt Berisha.

Skender Susuri përkundër analizës me të cilën thotë se zyra e personelit në Prizren e ka gjetur një derë për veprimin që bënë mendon se Komuna e Prizrenit po bënë shkelje ligjore. “Nëse e analizojmë procedurën e zgjedhjes së drejtorit të shkollës bazuar në Udhëzimin administrativ të MASHT-it nr.8/2014, konkretisht nenin 2 pika 2, 7, 8, nenin 4 pika 1,2,5, rezulton se Komuna e Prizrenit  gjatë procedurës së zgjedhjes së drejtorëve të shkollave është duke bërë shkelje ligjore, ngase këto dispozita ligjore e përcaktojnë që autoriteti ligjor për zhvillimin e procedurave të konkursit për drejtor të shkollës është DKA, duke përfshirë publikimin e konkursit, paraqitjen e dokumenteve, ri shpalljen e konkursit sipas nevojës dhe informimin e kandidatëve për rezultatin e konkursit.

DKA në Prizren sipas Susurit është anashkaluar në procesin e zgjedhjes së drejtorit të shkollës. “Autoriteti i saj që buron nga dispozitat ligjore të lartë shënuara është tkurrë njëanshëm” shprehet ai.

Susuri e ka edhe një shqetësim e ai është “politizimi i skajshëm i institucionit të drejtorit të shkollës, politizim ky që është në vazhdimësi, që nga pas lufta, për të kulmuar në vitet e fundit”. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet