Zvicër: Në këtë gjendje e ka gjetur Fitimi banesën e tij, pas ikjes së qiramarrëses

Kur u largua qiramarrësja e tij, qiradhënësi, Fitim Rexhepi e gjeti apartamentin e tij në një gjendje të mjerueshme. Dëmi i pësuar është rreth 70 mijë franga
Pronari i banesës së lëshuar me qira në Dörflingen të Shaffhausenit, Fitim Rexhepi është tmerruar nga ajo që ka parë. Qiramarrësja e tij, e cila jetonte në banesën mbi të, kishte lënë mbrapa tepër shumë mbeturina dhe papastërti, shkruan 20 minuten.

Fitimi i kishte dhënë asaj në verë njoftimin për lëshim të banesës. “Në ballkonin e saj zvarriteshin krimba”, thotë ai, transmeton albinfo.ch. Qiramarrësja i është përmbajtur njoftimit të përfundimit më 1 dhjetor, por problemi është se ajo ka shkaktuar dëme të pronës prej rreth 70.000 frangash.

Gjendjen e keqe në banesë ai e kishte vënë re për herë të parë kur kishte konstatuar se në ballkonin e qiramarrëses ndodheshin dymbëdhjetë thasë me plehra. “Unë i kërkova asaj që t’i hidhte”, thotë 35-vjeçari. Thasët më pas u zhdukën nga ballkoni, por kurrë nuk u panë në vendin ku duhet të deponohen.

Fitimi më pas ka informuar autoritetin e mbrojtjes së fëmijëve dhe të rriturve (KESB) dhe policinë.

Sipas tij, qiramarrësja kishte premtuar të angazhojë një kompani për bartje të gjësendeve dhe një shërbim pastrimi, përcjell albinfo.ch. Por gjërat dolën ndryshe: “Në orën 1.30 të mëngjesit ajo barti me vete një biçikletë dhe një valixhe ndërsa në ora 4.30 të mëngjesit ajo u largua”.

Kesb Schaffhausen nuk mund të komentojë raste specifike për shkak të sekretit zyrtar, por siguron informacione të përgjithshme, shkruan më tutje gazeta.

“Nëse marrim dëshmi për gjendjen e rëndë të një personi, ne e hetojmë atë”, thotë nënkryetarja, Denise Freitag, transmeton albinfo.ch. Situata do të sqarohet dhe do të merren masat e duhura.

“Nëse në të vërtetë konstatohet gjendje e vështirë e personit dhe shohim se ai nuk është në gjendje të bëjë zgjidhjen vetë, ne reagojmë”.

Një situatë e tillë paraqet vështirësi të madhe për pronarët, sipas shoqatës zvicerane të pronarëve të shtëpive. “Në të shumtën e rasteve, e vetmja gjë që mbetet është një përfundim i menjëhershëm dhe i rregullt i kontratës mbi qiranë, në përputhje me afatin e caktuar”, thotë zëdhënësi Thomas Oberle.

Prandaj, mund të nevojiten disa muaj para se qiramarrësi të detyrohet të largohet, përcjell albinfo.ch. Në parim, qiramarrësi është gjithashtu përgjegjës për dëmin e shkaktuar dhe pastrimin e banesës. Është po ashtu vështirë nëse indikacionet e gjendjes në apartament nuk janë të qarta. Kjo për faktin se “pronari nuk mund të hyjë në apartament për të bërë inspektim pa miratimin e qiramarrësit”.

Oberle këshillon që në raste të tilla të kontaktohen të afërmit e qiramarrësit ose autoritetet sociale.

Kategoritë
LajmeVendi