Zv. ministri Munir Basha: Luftimi i korrupsionit dhe krimit- parakusht për shtet modern e demokratik

Zëvendës Ministri i Drejtësisë Munir Basha në Konferencën Kundër Krimit Ekonomik (PECK II), në fjalimin e tij të mbajtur në kuadër të kësaj konference ka thënë se vetëm luftimi i korrupsionit mund ta forcojë shtetin modern e demokratik.

Ai mori pjesë në prezantimin e projektit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës kundër Krimit Ekonomik (PECK II). Këtu u bënë të ditura të gjeturat dhe rekomandimet në lidhje me vlerësimet e rrezikut kundër korrupsionit në prokurori, gjyqësor dhe prokurim publik. Në këtë prezantim, mori pjesë edhe Ministri Avdullah Hoti me zyrtar të Zyrës së Bashkimit Evropian dhe ekspertë të kësaj fushe.

Zëvendës ministri Basha, theksoi se ky vlerësim i këtij raporti, është i përqendruar në tri fushat prioritare: në sistemin gjyqësor dhe prokurorial dhe në fushën e prokurimit publik duke vënë në pah se Ministria e Drejtësisë në kuadër të kompetencave, është duke punuar vazhdimisht në avancimin e legjislacionit penal, kundër korrupsionit dhe atë të reformave gjyqësore, në kuadër të sfidave të dala nga Agjenda Evropiane në vend.

“Kemi ndërtuar arkitekturë të drejtësisë, kemi ligje të mira dhe demokratike, kemi gjyqtarë dhe prokurorë profesionist që kanë kushte të mira për punë të pavarur te paanshme dhe profesionale. Kemi vu standard në drejtësi në mënyrë që ta bëjmë edhe më funksionale”, theksoi zëvendës ministri Munir Basha dhe shtoi se tani, është koha ta kemi drejtësinë funksionale dhe ta fitojmë besimin e qytetarëve në drejtësi.

Në fjalën e rastit, Z. Basha theksoi se garantimi dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar paraqesin parakushtet që Kosova duhet t`i plotësojë si një shtet modern e demokratik ku sundon rendi dhe ligji.

“Edhe pse Ministria e Drejtësisë ka kompetenca mjaft të kufizuara në drejtim të punës së prokurorisë edhe gjykatave, ne jemi të përkushtuar t’ju dalim në ndihmë me vendosjen e politikave më të mira për të funksionuar sistemi i sundimit të ligjit në vendin tonë”, theksoi zv. ministri Basha.

Duhet theksuar që rishikimi i legjislacionit penal dhe atij kundër-korrupsionit është pjesë aktiviteteve për vitin 2017, krahas përpjekjeve për plotësim ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale si dhe ligjeve kundër-korrupsion ku do të hartohet edhe Koncept Dokumenti për fushën e Agjencisë Kundër Korrupsionit  dhe  për deklarimin, prejardhjen  e pasurisë, gjithashtu është themeluar Grupi Punues për hartimin e koncept dokumentit për “Rishikimin dhe miratimin e legjislacionit që e bën të detyrueshëm pezullimin dhe/ose largimin e zyrtarëve publik të akuzuar dhe dënuar për korrupsion. Njëkohësisht, theksoi zv. ministri Basha, vlen të përmendet që Ministria e Drejtësisë ka hartuar projektligjin për “Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, i cili tashmë është në Kuvend. Ky projektligj është hartuar në përputhshmëri të plotë me legjislacionin e BE-së dhe është bërë në bashkëpunim me përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ekspertët nga Këshilli i Evropës dhe Zyra e BE-së në Kosovë.

“Lidhur me prezantimin e të gjeturave dhe rekomandimeve, do të merren masa konkrete, sidomos në procesin e rishikimit të Kodit Penal të Procedurës Penale dhe në veçanti legjislacionit kundër korrupsionit”, theksoi zv ministri Basha, ndërsa më tej theksoi ai, gjatë procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit do të trajtohet në mënyrë të veçantë kapacitetet institucionale të akterëve që janë të përfshirë në luftën kundër korrupsionit me qëllim të zbatimit dhe bashkërendimit si dhe forcimit edhe më tej të masave që do të ndërmerren kundër kësaj dukurie të shëmtuar.

“Vendi ynë ka nevojë t’i forcojë kapacitetet institucionale për të luftuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në përputhje me standardet evropiane. Një gjë e tillë arrihet më së miri përmes absorbimit sa më efikase të asistencës teknike dhe vlerësimeve të cilat do të  bëhen në bazë të modeleve të metodologjisë GRECO dhe MONEYVAL”, theksoi zëvendës ministri Munir Basha duke vënë në pah se jemi në rrugë të drejtë për të shënuar progres në drejtim të fuqizimit të sundimit të ligjit, që është prioritet i Republikës së Kosovës si e vetmja rrugë drejt integrimit në strukturat evropiane./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet