Zhgënjimi i qytetarëve arrin kulmin, pothuajse që të gjithë duan të ikin nga Kosova

Të zhgënjyer, të dëshpëruar, të pashpresë dhe të thyer. Këta janë qytetarët e tanë, shumica prej të cilëve, sidomos të rinjtë, kanë hequr dorë nga kërkimi i ndonjë alternative për ta ndërtuar jetën brenda vendit. Të shumtët mendojnë që e vetmja zgjidhje është ikja nga Kosova dhe kërkimi i një perspektive në perëndim. Kjo është bërë e ditur nga një raport i UNDP-së dhe USAID-it, i cili ka nxjerr të dhëna të frikshme, të cilat do të duhej ta shqetësonin qeverinë – shkruan Gazeta e Re.

 Në një raport të prezantuar nga UNDP dhe USAID-i në Kosovë, theksohet se mbi 60% e të anketuarve po e konsiderojnë si alternativë shpëtimtare, ikjen nga Kosova, përkatësisht kërkimin e perspektivës në perëndim.

Raporti “Analiza e Pulsit Publik – Sfidat dhe Këndvështrimet e Rinisë në Kosovë”, ka rikonfirmuar të dhëna tashmë të njohura se të paktën 20% e popullsisë së Kosovës, vlerësohet të jetë në mes moshës 15 dhe 29 vjeç. Pikërisht, kjo grupmoshë, që përbënë atë që konsiderohet resurs human, përkatësisht fuqi punëtore në gjuhën e ekonomisë, është skeptike për sa i përket të ardhmes së Kosovës. Saktësisht 48% e të anketuarve, nuk besojnë se në Kosovë mund të kërkohet përspektiva. Ndërsa grupmosha nga 25 – 35 vjeç, është e bindur që defekti kryesor qëndron te politika.

Rezultatet e raportit në fjalë, janë dukshëm më të ndryshme se sa ato që i ka ofruar Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK). Kjo e fundit, në raportin për punësim për tremujorin e parë të këtij viti, nxjerr një përqindje më të vogël të të papunëve:

“Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2018, shkalla e papunësisë është 26.5%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 28.7%, krahasuar me meshkujt, 25.9%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 54.0%. Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2018, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 60.8%, me fokus të veçantë te femrat me 83.4%, krahasuar me meshkujt, 38.6%.”

Ndërsa raporti i USAID-it dhe UNDP-së thotë se: Nga të anketuarit, 52% janë të punësuar ku prej tyre 36% janë me orar të plotë, ndërsa 10.5% me kohë të pjesshme. Gjithashtu vetëm 6%, kanë thënë se janë të vetëpunësuar. Nga ana tjetër, 48% kanë treguar se nuk janë në marrëdhënie pune, 26% nuk punojnë por kërkojnë punë, ndërsa 22% as nuk punojnë e as nuk kërkojnë punë.

Po ashtu, sipas raportit, është vënë në pah një dallim në segmentin gjinor. Tregu i punës në Kosovë, del të jetë për një nuancë më i favorshëm për gjininë mashkullore se sa atë femërore.

30% e femrave të papuna, janë deklaruar se as nuk janë të punësuara e as nuk kërkojnë punë. Pjesa më e madhe e të rinjve, kanë thënë se janë duke kryer shkollimin, ndërsa mbështetja financiare u vije nga prindërit ose kujdestarët e tyre, ndërsa shumë pak nga institucionet e shtetit:

“Pothuajse të gjithë të anketuarit deklaruan se prindërit ose anëtarët e familjes së tyre i mbështesin financiarisht. 55 për qind mbështeten nga prindërit e tyre, 46 për qind nga anëtarët e tjerë të familjes dhe 18.5 për qind nga të afërmit/miqtë që jetojnë jashtë vendit. Vetëm 1.5 për qind e të anketuarve pretendojnë se kanë mbështetje nga institucionet e Kosovës”.

E  frikshme është e dhëna që 60% e të anketuarve, kanë thënë se ikja nga Kosova dhe kërkimi i perspektivës në vendet perëndimore, shihet si një alternativë e vetme për ta shpëtuar ekonominë familjare, edhe ashtu të rënduar. Skepticizmi i të anketuarve, sipas raportit, ndërlidhet drejtpërdrejtë me gjendjen politike në vend. E kjo e fundit, është duke u përballur me një krizë të re institucionale, e cila e ka bllokuar punën e organit më të lartë shtetëror, parlamentit. Sidoqoftë, qytetarët, përkatësisht të rinjtë, nuk e kanë më vëmendjen te këto zhvillime, ata janë duke i pritur vizat, me shpresë që në perëndim, do të mund ta gjejnë shpëtimin. /Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet