Zgjedhjet, Tahiri thotë se AAK do të ketë rezultatin më të mirë që ka pasur ndonjëherë

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë është i çuditshëm.

“Si mundet një deputet më ua marrë mandatin 119 deputetëve, prandaj mezi pres të shoh akgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese. Ne po flasim për një deputet që i ka kaluar të gjitha filtrat e certifikimit, duke nisur nga KQZ-ja”, ka thënë Tahiri.

Ai ka pyetur se cili mund të jetë faji i Etem Arifit, i cili si deputet është certifikuar nga KQZ-ja.

“Jemi në një situatë kur zgjedhjet duhet të shpallen sa më shpejt, sepse nuk e di a jemi ende qeveri në detyrë apo si. Kjo po ndodh pasi që ende nuk e kemi të plotë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Tahiri në RTK.

Sa i përket zgjedhjeve që do të caktohen pas vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, Tahiri ka thënë se ato janë festë.

Sa i përket sondazheve që po i publikojnë partitë e caktuara, Tahiri ka thënë se janë më shumë projektime euforike dhe se nuk ndihmojnë fare.

“Kurti po thotë do t’i marrim 65 deputetë. Është vështirë të bëhen të gjithë ata deputetë dhe është mirë t’i lihet popullit. Ka një reflektim të populli, por është problem që të gjitha institucionet ti zgjidhesh vetë”, ka thënë ai.

Tahiri ka thënë se AAK-ja do të hyjë në zgjedhje me ofertë ekonomike dhe me Haradinajn si kandidat për president.

“Haradinaj do të ishte i denjë si president dhe këtë e ka dëshmuar në secilën etapë. Me të dhe me AAK-në ndryshimi është i sigurtë. E dimë të gjithë që çështjet që kanë pritur për 20 vjet janë kryer kur Haradinaj ka qenë kryeministër. Në kohën e tij u bë ushtria, Ligji për Trepçën, pavarësia energjetike, Ligji për Prishtinën”, ka thënë Tahiri.

Ai është shprehur optimist se AAK-ja në këtë zgjedhje do të del më e fuqishme sesa ishte deri më tash.

“Ne do të marrim fuqinë më të madhe që e kemi pasur ndonjëherë. Rezultati ynë do të jetë më i miri që ndonjëherë e ka pasur AAK-ja”, theksoi ai.

Kategoritë
LajmeVendi