Zgjedhjet në shtator, sepse bisedimet me Serbinë, duhet rinisin – thonë ndërkombëtarët

Republika e Kosovës ndodhet në një situatë të komplikuar. Skena politike duket e trazuar, pasi që vendi ka mbetur pa qeveri, ndërsa ende nuk po dihet se cila do të jetë rruga për zgjidhjen e këtij problemi. Presioni ndërkombëtar, mund t’i detyrojë të mandatuarit e vendit, që deri në pranverën e ardhshme vendi të qeveriset nga një qeveri teknike – shkruan Gazeta e Re.

Halli, nuk është zgjidhja e qeverisë, por si do të bëhet me raportet Kosovë – Serbi. Raportet e ngrira pas vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve serbe e boshnjake, bënë që edhe procesi i bisedimeve të mos rifillohet më.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar në vazhdimësi që të dy vendet, ta vazhdojnë aty ku e kanë lënë, e tash që kemi mbetur me një qeveri në dorëheqje, po kërkojnë që të mos vonohemi shumë.

Daniel Serwer, ekspert amerikan i politikave të Ballkanit, së fundi në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës, ka komentuar ndër të tjera edhe situatën e re të krijuar në Kosovë dhe raportet e republikës sonë me Serbinë. Ai ndër të tjera ka thënë se procesi i bisedimeve duhet të shtyhet, të paktën  «edhe për pak kohë», dhe sipas tij, kjo nuk mund të diskutohet.

Por çelësi «për të arritur pozitë të mirë në dialog me Serbinë është shkalla e lartë e unitetit dhe aftësia për të ikur nga një marrëveshje e keqe. Kosova nuk ka pasur shkallë të lartë të unitetit dhe nuk ka arritur të ikë nga një marrëveshje e keqe, prandaj nëse zgjedhjet dhe një qeveri e re mund ta përmirësojnë situatën, unë do të isha shumë i lumtur, por mendoj se kjo situatë gjithsesi se do të nxisë shtyrje të madhe të bisedimeve».

Por duket që asnjë nga partitë aktuale parlamentare, nuk janë të interesuara që t’i shmangin zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

«Tashmë zgjedhjet e parakohshme, janë të pashmangshme» – tha në konferencën e parë, pas kthimit nga SHBA, Kadri Veseli, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, respektivisht partneri kryesor i koalicionit qeverisës, i cili është dorëzuar parakohe, pas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj.

Edhe subjektet e tjera, NISMA Socialdemokrate, LDK dhe Vetëvendosje, janë deklaruar pro këtij procesi. E duke e parë këtë situatë të krijuar krejt papritur, as Presidenti Hashim Thaçi, nuk duket që do ta zvarris çështjen.

Në media ka filluar të përmendet data 8 shtator, si më e gjasshme për të ndodhur zgjedhjet e parakohshme nacionale. Kështu të paktën është raportuar sot në televizionin publik RTK. Por nga presidenca, nuk ka ende asgjë zyrtare në këtë drejtim. Sipas juristëve, nëse koalicioni aktual nuk e shfrytëzon të drejtën e propozimit të një mandatari të ri për të parin e qeverisë, atëherë parlamenti duhet të shpërndahet./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet