Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, tri ditë votim me maska

Pas përfundimit të fushatës, në mesnatë ka nisur heshtja zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë Veriore dhe votimi treditor fillon sot.

Të parët që do të votojnë sot janë të personat në izolim dhe të infektuar me Covid-19, ose në total 706 vetë sipas informacioneve të fundit nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i Maqedonisë Veriore.

Ka më shumë se 50 votues të regjistruar në izolim në Strugë dhe Resnjë, 30 në Ohër dhe Kumanovë, dhe nga dhjetëra në Aerodrom, Karposh dhe Gazi Babë. Mediat, vëzhguesit dhe të gjithë ata që janë të interesuar të monitorojnë votimin e sotëm do të marrin pajisje mbrojtëse nga KSHZ-ja.

Nesër do të votojnë të sëmurët tjerë, të burgosurit dhe personat që jetojnë në shtëpitë për të moshuar, ndërsa dita kryesore e zgjedhjeve është e mërkura më 15 korrik.

Sipas protokollit të votimit, në vendvotim do të hyjnë vetëm aq votues sa do të ketë kuti votimi. Është e obligueshme mbajtja e maskës që votuesit do ta heqin për kohë të shkurtër vetëm për identifikim. Dezinfektimi i duarve është i obligueshëm para dhe pas votimit.

Vendvotimet që nuk plotësojnë standardet e votimit në kushte pandemie, tashmë janë zhvendosur në objektet më të afërta më të mëdha.

Numri i përgjithshëm i votuesve në listën e zgjedhësve është 1.814.263, të cilët do të votojnë për njërën nga 15 partitë politike, teksa vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 21:00, derisa në zgjedhjet e kaluara ato janë mbyllur në 19:00.

Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje doli me idenë e një kryeministri të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Naser Ziberi, një ish-ligjvënës dhe zyrtar partiak, u prezantua si kandidat për kryeministër i kësaj partie.

Në këto zgjedhje për herë të parë u krijua edhe një koalicion parazgjedhor midis një partie maqedonase dhe një partie nga blloku shqiptar – LSDM dhe Lëvizja Besa.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare duhej të mbaheshin më 12 prill, por u shtynë për 15 korrik për shkak të koronavirusit. Ato mbahen pasi Maqedonia Veriore nuk mori datën e fillimit të negociatave me BE, pavarësisht marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet