Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, si po komentohet humbja e kandidatit të vetëm shqiptar?

Maqedonia është larg parametrave të vërtetë demokratik, por askush nuk mund të thotë që shteti fqinj si ka bërë disa hapa të mirë në këtë drejtim, do të thoshin analistët. Së fundi, në garën për President të Maqedonisë së Veriut, u fut edhe kandidati shqiptar Blerim Reka, i cili pas fazës së parë është eliminuar nga gara – shkruan Gazeta e Re.

Profesor  Blerim Reka përkundër kumtimit të rezultateve të pra, është deklaruar i kënaqur për rezultatin e arritur. Sipas KSHZ-së ai ka grumbulluar 79.915 vota apo 10,57 %. Por përpara tij janë renditur Gordana Siljanovska-Davkova e cila ka fituar 319.240 vota (42,24 %) dhe kandidati Stevo Pendarovski, i cili ka marrë 323.846 vota, apo 42,85%.

Pjesëmarrja në zgjedhje, ishte relativisht e kënaqshme me 41.82%, por numri i fletëvotimeve të pavlefshme nuk ishte aspak i ulët (me 32.828 sosh).

“Ne jemi të kënaqur. Kjo i ka tejkaluar pritshmëritë tona. Kemi rezultat të shkëlqyeshëm dhe në të gjitha komunat me shumicë shqiptare jemi përpara, ndërskohë që kemi marrë vota edhe në të gjitha komunat maqedonase. Kjo është për t’u shënuar, sepse siç e kemi thënë, koncepti ynë “Republikë për të gjithë”, është koncept universal për të cilin do të votojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë” – ka deklaruar Reka pas rezultateve.

Megjithatë në opinionin publik është diskutuar gjatë mungesa e një mbështetjeje më të madhe nga partitë shqiptare, jo vetëm në Maqedoninë e Veroiut, por edhe jashtë saj.

Qytetarë, opinionistë dhe gazetarë të pavarur, përpara mbajtjes së raundit të parë të zgjedhjeve, kanë bërë thirrje për ta votuar Rekën. Këtij karvani i është bashkuar edhe Daut Dauti, i cili në murin e tij në facebook ndër të tjera shkruante se “Blerim Reka ka dëshmuar se është më i mirë se sa dy kandidatët e tjerë”.

Megjithatë, rezultatet në fund, nuk ishin aq pozitive, andaj edhe kritikat ndaj atyre që mund ta ndihmonin Rekën, nuk u kursyen.

“Ja ku e solli shqiptarinë paria e vet e shitur. Do të thotë, po u dashka që të organizohemi dhe ta ftojmë, ta thërrasim, ta nxisim, ta bindim, ta lusim, ta përgjërojmë votuesin shqiptar që ta votojë SHQIPTARIN. Po u dashka të kërkojmë – duke pasur informatat e sakta dhe frikën e bazuar se nuk do ta bëjnë këtë – nga shqiptarët ta votojnë të parin në histori dhe të vetmin kandidat shqiptar për Kryetar të Maqedonisë së Veriut.

Edhe kur Blerim Reka është kandidati i vetëm nga etnia e nëpërkëmbur në vend; Edhe kur Reka është kandidati larg më serioz, më kompetent e më i duhur për të gjithë; Edhe kur Reka është intelektual, dijetar, profesor, gazetar e diplomat i madh; Edhe kur kundërkandidatët e Blerim Rekës cilësinë më të spikatur e kanë urrejtjen dhe superioritetin fashist ndaj shqiptarëve…, edhe atëherë qenka e nevojshme, madje e domosdoshme të luten shqiptarët që të mos votojnë të tjerët!?”, – ka shkruar opinionisti Blerim Gashani.

Siç dihet, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, asnjë subjekt tjetër politikë dhe asnjë zyrtar tjetër shqiptar nga Shqipëria apo Kosova, nuk ka bërë thirrje publike për ta përkrahur Rekën.

Në rrjetet sociale, po ashtu, janë kritikuar mjaft “liderët shqiptarë” të cilët nuk knë bërë të paktën thirrje publike për ta mbështetur atë si kandidat. Nga brenda shtetit fqinj, veç Ziadin Selës dhe krerëve të Lëvizjes Besa, subjektet e tjera nuk i kanë dalë krah Rekës dhe kjo ka ngjallur një mal me kritika në mesin e shqiptarëve, brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut.

Nuk dihet cili do të jetë rezultati final i garës ndërmjet dy kandidatëve të mbetur, por është vështirë të paramendohet dalja në zgjedhje e 40% e qytetarëve maqedonas. Për këtë është shprehur skeptik edhe vet Blerim Reka.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 5 maj, ndërsa akterët politikë, por edhe qytetarët, pavarësisht rezultatit përfundimtar, shpresojnë që procesi të kalojë pa incidente. Raundi i parë, nga organizatat vendore dhe të huaja të cilat e kanë monitoruar procesin, është vlerësuar mjaft lart./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet