Zëvendësministrat

Albinot Maloku

 Ndonëse debatet rreth zgjedhjeve lokale nuk do të përfundojnë deri më 19 nëntor, kur edhe do të përmbyllet raundi i dytë, për komunat që kanë shkuar në balotazh, në qendër të vëmendjes këto ditë do të jetë çështja e zgjedhjes së zëvendësministrave dhe stafit tjetër përcjellës. Janë emëruar disa prej tyre e do të emërohen edhe disa tjerë pas balotazhit, kështu siç po thuhet, për t’u kompletuar kabineti qeveritar. Pas kësaj ngelet veç një gjë, ajo kryesore, puna.

Çështja e mbingarkesës së Qeverisë së Kosovës me zëvendëskryeministra, ministra, zëvendësministra e këshilltarë nga më të ndryshmit, ka kohë që diskutohet. Kosova në këtë rrafsh është thënë se e ka kabinetin qeveritar si me pas qenë Republika Popullore e Kinës që i korrespondon numrit prej 1.4 miliardë banorësh, e që për kureshtje, Kosova nuk i ka as dy milionë banorë. Pa dyshim se 21 ministra, 5 zëvendëskryeministra e më shumë se 50 zëvendësministra është numër enorm për kapacitetet e Kosovës, dhe kjo në një moment duhet të ndryshojë. Çështja e ndryshimit të formatit të kabinetit qeveritar të Kosovës është menduar se do të ndodh shumë kohë më parë, por asnjërës garniturë qeverisëse nuk i ka konvenuar. Rekomandimi për riformatimin e përbërjes së numrit të dikastereve qeveritare dhe racionalizimi i kabinetit qeveritar ishte ngritur edhe nga instanca tjera ndërkombëtare si nevojë e domosdoshme e Republikës së Kosovës. Arsyet nuk kanë veç karakter të shpenzimit ekonomik por edhe të efikasitetit në punë dhe përshtatjes së kabinetit qeveritar sipas mundësive e nevojave të Kosovës.

Mënyra për t’u rregulluar kjo çështje ka qenë përmes përpilimit të Ligjit për Qeverinë e Kosovës. Ky ligj do të përcaktonte vazhdimësinë e dikastereve qeveritare, numrin e tyre por edhe përbërjen, duke ruajtur karakterin e obligimeve kushtetuese që i imponohen vendit edhe karshi komuniteteve në Kosovë. Se pse kjo nuk ka ndodhur, pa dyshim se ndërlidhet me marrëveshjet e partnerëve të koalicionit të cilët e shohin Qeverinë si vend rehatimi e rikuperimi për bashkë-partiakët e tyre. Se në çfarë rrethanash mund të ndodh insistimi në bërjen e Ligjit për Qeverinë kjo mund të hamendësohet, por gjithsesi është çështje që shkon në pako me fituesin e procesit zgjedhor, i cili do të mund ta bënte qeverinë i vetëm ose me një partner të vogël. Po ashtu edhe me një vullnet të sinqertë politik dhe të pa ngarkuar me interesa partiake do të mund të nisej rrugëtimi i stabilizimit të numrit të dikastereve qeveritare dhe çdo gjëje që ndërlidhet me të përmes rregullimit ligjor.

Shtetet që kanë stabilitet politik, zakonisht i kanë qeveritë të cilat nuk i ndërrojnë as emrat e resorëve ministrore, as nuk rrisin numrin e tyre e po ashtu as edhe numrin e zëvendësministrave e zëvendëskryeministrave. Për Kosovën rekomandimi më i mirë do të ishte që qeveria e saj t’i kishte 8 resorë ministror me nga dy zëvendësministra dhe dy zëvendëskryeministra. Kjo përbërje e kabinetit qeveritar do të ishte edhe gjithëpërfshirëse duke ruajtur karakterin kushtetues të vendit por edhe efikasitetin e punës së qeverisë. Derisa do të vazhdojë avazi aktual ku do të ketë edhe shpikje emrash për hapjen e ministrive siç ka ndodhë e po ndodhë, nuk do të ketë as efikasitet në punën e qeverisë e as përmbushje të obligimeve të saj për shtetin e qytetarin. Pa një Ligj që rregullon punën e formatin e Qeverisë së Kosovës, çështja e zëvendëskryeministrave, ministrave e zëvendësministrave gjithmonë do të variojë sipas interesave të partnerëve të koalicionit për të rehatuar bashkë-partiakët. Gjithsesi, me gjendjen aktuale cirku dhe shakat për numrin e zëvendësministrave do të vazhdojnë të dominojnë opinionin publik, e sidomos kreativët që po dinë të nxjerrin shaka mjaftë të lezetshme për “punësimin në pozitën e zëvendësministrit”.

 

Kategoritë
ANALIZA JAVORE

Të ngjajshmet

  • Nëntori

    Albinot Maloku Thuhet se nëntori është muaj i shqiptarëve. Data e 28-të e këtij muaji, në vete ndërlidh disa momente historike, por ndër më të rëndësishmet mbetet Shpallja e...
  • Tribunali

    Albinot Maloku Dhjetori i këtij viti do të jetë muaj i cili do të përmbyllë punën gati tri dekadëshe të mekanizmit i cili u themelua për të ndjekur penalisht...
  • Njohjet

    Albinot Maloku Diplomacia e Kosovës është sinonim i dështimit. Me gjasë, secili zyrtarë që është emëruar si Ministër i Jashtëm i Kosovës, këtë pozitë e ka perceptuar si prestigj...
  • Balotazhi

    Albinot Maloku Republika e Kosovës e përfundoi me sukses edhe një proces zgjedhor për nivelin lokal që përfshiu 38 komuna për të zgjedhur anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetarët...