Zëvendëskryeministrat

Albinot Maloku

Pas afro tre muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, deputetët e partive dhe partiçkave, e zgjodhën Kadri Veselin kryetar të legjislaturës së gjashtë të Kosovës. Më në fund Veseli u mat. Për më shumë, ai i siguroi numrat e mjaftueshëm për këtë pozitë të synuar tash e sa kohë. Por ai për këta numra sakrifikoi mjaft. Partia e tij do t’i ketë vetëm gjashtë ministri, nga njëzet e një, aq sa do t’i ketë gjithsej Qeveria e Kinës…pardon e Kosovës. Dorën në zemër kjo ishte matje e gazepshme për kreun e PDK-së.

Numrat për kryetarin e kuvendit (i cili veç u zgjidh), por edhe për kryetarin e qeverisë, i cili pritet të votohet pasi mori mandatimin nga presidenti, praktikisht i siguroi partia me tre deputetë, ajo e Pacollëve. AKR-ja dhe Dardan Gashi, i cili pa u matur e pa u lodhur me procesin zgjedhor, do të bëhet zëvendëskryeministër i Qeverisë Haradinaj. Me fjalë të tjera, kualitet e shkuar kualitetit do të jenë të pesë zëvendëskryeministrat e kësaj qeverie.

Partia e Ramush Haradinajt, mandatar për kryetar të Qeverisë së Kosovës, përveç pozitës së kryeministrit, do t’i ketë edhe dy ministra. Ramushi si shef i njëqind përqind i vetëm dy ministrave, nga njëzet e një sa do t’i ketë qeveria e tij, lë përshtypjen se do të bëjë mrekulli për vendin. Jeta e tij prej Kryeministri të Republikës së Kosovës nuk do të jetë si ajo koha e bërë legjendë, sa ishte kryeministër për njëqind ditë, i qeverisë së institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës. Dikush mund të thotë se kjo i përket të ardhmes dhe kjo nuk dihet. Po. E ardhmja nuk dihet por mund të paragjykohet mbi bazën e shumë realiteteve që e rrethojnë Kosovën, politikën e saj, Qeverinë e Ramush Haradinajt dhe vetë atë. Zëvendës i Kryeministrit do të jetë Dardan Gashi! Kësaj i thonë lajtmotiv i matrapazit në qeverisjen me vendin.

Edhe NISMA e Fatmir Limajt do të ketë zëvendëskryeministër si dhe tri ministri përmes të cilave pozita mëton t’i kontribuoj arsimit të tej degraduar të Kosovës, mirëqenies së rraskapitur të qytetarit të Kosovës, por kësaj here nuk do ta ketë atë ministrin e famshme të transportit që ia ndërruan edhe emrin. Limaj duke luajtur inatçorin ndaj ish-partisë së parë të tij, e i ngjitur për AAK-në, mund të bëhet koleg i Dardan Gashit. Limaj është i durueshëm.

Behgjet Pacolli po bëhet Ministër i Jashtëm, por mos të harrojmë edhe koleg i Dardan Gazhit, veç se do të jetë i pari. Pacollit nuk është se nuk i bie tamam kjo pozita e ministrit të jashtëm. Është dëshmuar të jetë më i mirë se Skender Hyseni, e shumë herë më i mirë se Enver Hoxhaj. Di të bëjë pazare të majme Presidenti.

Pas bërjes së numrave, prej koalicionit parazgjedhor me PDK-në doli Lëvizja e Bashkuar e Avni Klinakut që drejtohet nga Valon Murati. Arsyeja shumë “bindëse”. Nuk duan të jenë pjesë e qeverisë të cilën e kontrollon Vuçiqi. Klinaku është për bashkim!

E opozitë veç Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike do të jetë edhe Mimoza Kusari, e cila me të dy duart votoi kundër kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Mimoza ka merak ta luaj interesanten, por edhe asaj i ka dal aroma.

Drejtuesit e institucioneve që veç u zgjodhën, i mbushën karriget më në fund. E Kosova e qytetari i saj, mbetet të shihet, çka do të përfitojnë nga ndryshimet që do t’i sjellin këta  zëvendëskryeministra, ministra, kryetar qeverie e kryetar kuvendi.

Kategoritë
ANALIZA JAVORELajmet Kryesore

Të ngjajshmet