Zemaj: Ashpërsimi i masave kundër pandemisë do të ndërmerret sa herë që kërkon situata

“Menaxhimi i pandemisë me qytetarët e mbyllur është shumë i lehtë, me pak raste dhe me shumë efektivitet formal, por nuk mund të kthehemi në pikën zero”, tha Zemaj

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se nuk e kanë menduar mbylljen e plotë të vendit, siç ka ndodhur më parë në kuadër të masave për parandalimin e koronavirusit të ri (COVID-19), megjithatë ashpërsim të masave do të ketë “sa herë që kërkon situata”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këtë deklarim ministri Zemaj e bëri para deputetëve të Kosovës në një debat parlamentar që zgjati rreth shtatë orë lidhur me menaxhimin e pandemisë nga ana e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.

Zemaj tha se duhet të punohet me front të përbashkët pozitë-opozitë dhe të mos politizohet situate me pandeminë, ndërsa sa i përket masave të reja për parandalimin e përhapjes së pandemisë tha se “ashpërsimi i masave do të bëhet sa herë që e kërkon situate”.

“Menaxhimi i pandemisë me qytetarët e mbyllur është shumë i lehtë, me pak raste dhe me shumë efektivitet formal, por nuk mund të kthehemi në pikën zero. Do të jemi të hapur me zbatim të masave. Tash është koha e duhur për zbatimin e masave, ashpërsimi i tyre do të ndërmerret sa herë që kërkon situata. Shtimi i testeve shton edhe numrin e rasteve pozitive. Ne do t’i shtojmë testimet dhe sikurse në gjithë botën shumë teste prodhojnë shumë raste pozitive”, tha ministri Zemaj.

Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), deputetja Fatmire Kollçaku – Mulhaxha, tha se shteti është bërë policor, por jo parandalues i përhapjes së pandemisë.

Ajo tha se deri më tani është bërë shumë pak për punëtorët shëndetësorë. Sipas saj, përpos se ata janë ndihmuar financiarisht me shuma shuma të vogla nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, atyre nuk u janë paguar edhe orët shtesë të punës.

“Me qindra orë shtesë nuk po paguhen për punëtorët shëndetësorë, me qindra orë shtesë nuk po paguhen për policë dhe për të gjithë ata që janë në vijën e parë të frontit”, tha Kollçaku-Mulhaxha.

Në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ekrem Hyseni, tha se pandemia nuk ka adresë dhe fajtor ngase e ka gjunjëzuar botën në mënyrën më të papritur, duke bërë që sistemet shëndetësore të punojnë në limitet e tyre.

Hyseni theksoi se duhet të ndërmerren masa për ta kontrolluar pandeminë, por sipas tij duhet të mendohet edhe për situatën ekonomike në vend.

“Jemi pro masave që e vënë në kontroll pandeminë. Po ashtu, përkundër nevojës për masa duhet të ruhet edhe ekonomia. Kur e bëjmë një balancim në mes të masave kufizuese dhe operimit të të gjitha aktiviteteve ekonomike në vend duke parë si prioritete shëndetin e popullatës. Ajo që e dëgjojmë sot më shumë se kurrë është ‘shëndeti i ekonomisë’, gjë e cila përmendet me shumë të drejtë”, theksoi ai.

Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputeti Bekim Haxhiu, ka akuzuar qeverinë e kaluar nën udhëheqjen e ish-kryeministrit Albin Kurti si dhe atë aktuale nën udhëheqjen e Avdullah Hotit për menaxhim të dobët të pandemisë.

Ai tha se Kosova po përballet me valë të tretë të epidemisë, në kohën kur gjithë bota po përballet me valën e dytë të saj, ndërsa kritikoi Ministrinë e Shëndetësisë për numrin e vogël të testimeve për COVID-19.

“Pse janë dashur 6 muaj që Kosova t’i bëjë mbi 500 teste. Prej fillimit u kemi thënë se Kosova ka kapacitete të bëjë prej 700 deri në 1 mijë teste në 24 orë. Këto kapacitete nuk janë shfrytëzuar dhe për këtë pandemia nuk ka mundur të menaxhohet dhe kontrollohet dhe përgjegjës për këtë janë dy qeveritë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas tij, mënyra e vetme për ta futur pandeminë nën kontroll është ndryshimi i formës së testimeve duke kaluar në testime grupore dhe familjare.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albena Reshitaj, ka kërkuar nga partitë politike që të lënë anash politikën dhe të bashkohen përballë pandemisë.

Ajo ka kritikuar deputetët që akoma nuk kanë miratuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

“Si mund të flasim për masa mbrojtëse kur ne vet nuk po krijojmë mundësi e lehtësi ligjore për qytetarët dhe bizneset që të përballojnë më lehtë këtë gjendje”, ka thënë Reshitaj.

Në Kosovë ditëve të fundit është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve me koronavirusin e ri (COVID-19). Vetëm në 24 e fundit janë raportuar 16 të vdekur dhe 690 raste të reja të infektimit.

Kategoritë
LajmeVendi