Zemaj: Administrata publike, gastronomia dhe mërgimtarët ndikuan në rritjen e rasteve

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka reaguar pas rritjes së rasteve me COVID-19 në dy ditët e fundit. Ka thënë se është koha që të veprohet urgjentisht për të parandaluar përkeqësimin e situatë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Zemaj ka thënë se rritja e numrit të rasteve vjen nga institucionet publike.

Sipas tij, në rritjen e rasteve ka ndikuar edhe heqja e Kosovës nga lista e vendeve me rrezik të lartë dhe ardhja masive e bashkë-atdhetarëve këtyre ditëve në Kosovë, nga vendet evropiane që këtyre ditëve po shënojnë gjithashtu ngritje të madhe të rasteve me Covid-19.

“Sipas të dhënave tona rritja e numrit të rasteve vjen nga institucionet publike, që është një tregues shumë i keq dhe që flet se ajo që është thënë në takimin e fundit të Komitetit se ka mos-dicipilinë në administratën shtetërore sa u përket zbatimit të masave, po del të jetë e vërtetë, pa i harruar institucionet e tjera dhe veçmas sektorin e gastronomisë, i cili bën presion çdo ditë, iu dha edhe më shumë kohë për të ushtruar veprimtarinë për një orë më shumë, ndërsa në anën tjetër nuk zbatohen masat”, ka shkruar Zemaj.

Zemaj ka kërkuar që Policia e Kosovës dhe të gjitha inspektoratet pa dallim, bashkë më komunat të veprojnë urgjentisht në parandalimin e përkeqësimit të situates.

Ai ka bërë thirrje edhe që të ndalen urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format e tjera të organizimit ku ka grumbullim njerëzish sikurse edhe veprimtaritë e ndryshme krejtësisht të panevojshme si promovimet e ndryshme, tubimet publike dhe aktivitete të tjera që mund të shmangen dhe nuk janë domosdo që të mbahen me prani e grumbullim të njerëzve.

“Inspektimet duhet të vazhdojnë me ritëm të shtuar, gjobat të jepen sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe të mos ketë asnjë lloj shkarje prej ligjit, por të zbatohet me përpikëri”, ka shkruar Zemaj

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet