Zelenskyy: Të ardhurat e Rusisë nga nafta kanë rënë me 37 miliardë dollarë për shkak të sanksioneve

“Për herë të parë që nga fillimi i luftës, është regjistruar rënie e dukshme në prodhimin dhe rafinimin e naftës në Rusi”, tha presidenti ukrainas, Zelenskyy

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha sot se të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe gazi kanë rënë ndjeshëm për shkak të sanksioneve të koordinuara ndërkombëtare, duke rezultuar në humbje prej 37 miliardë dollarësh në të ardhurat buxhetore këtë vit, transmeton Anadolu.

Duke cituar raportin nga kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Oleh Ivashchenko, Zelenskyy tha se për herë të parë që nga fillimi i luftës, është regjistruar “rënie e dukshme” në prodhimin dhe rafinimin e naftës në Rusi.

“Të ardhurat e naftës dhe gazit të buxhetit rus po ulen dhe deri në fund të këtij viti, Rusia do të ketë humbur të paktën 37 miliardë dollarë në të ardhurat buxhetore nga nafta dhe gazi”, tha ai në Telegram duke shtuar se kompanitë ruse të energjisë po humbasin “dhjetëra miliardë të tjera”.

Zelenskyy shtoi se sanksionet “funksionojnë në mënyrë efektive”. Sipas tij, flota ruse e naftës tani përdor “më pak cisterna” si rezultat i asaj që ai e quajti “goditje ligjore plotësisht të justifikuara” nga partnerët e Ukrainës.

Rusia nuk ka komentuar mbi pretendimin për humbjet e raportuara. Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kanë vendosur vazhdimisht sanksione që synojnë sektorin rus të energjisë që nga fillimi i luftës në vitin 2022.

Kategoritë
BotaLajme