Zbulohet mozaiku i figurës së Agim Ramadanit në kazermën e FSK-së në Gjilan

Në dy vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, është zbuluar sot mozaiku i figurës së heroit të kombit, Agim Ramadani, në një ceremoni të veçantë në Regjimentin e forcave tokësore të FSK-së në Gjilan.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ndihet i lumtur që pas një ekspozeu një vjeçar në qendër të qytetit, mozaiku me figurën e Agimit është zhvendosur në kazermën e FSK-së.

“Jam i nderuar që jam sot në shpalosjen e këtij punimi në këtë kazermë elitare. Këtu ndihesh i privilegjuar dhe sigurt për të gjitha pritjet që ne i kemi pasur për shtetin, institucionin e në veçanti për pjesën ushtarake të Republikës sonë. Agimi ka zbarkuar prej një ekspozeu një vjeçar në qendër të qytetit në kazermë, aty ku e ka vendin dhe ky aty ku figura e tij të rrezatojë çdo ditë si roje e paqes dhe si emër i cili ushtarit i jep motiv e mesazh që liria është e shtrenjtë dhe për liri shkohet deri në sakrificë”, ka thënë Haziri.

“Ne sot të gjallët na mbetet që ta kujtojmë, të gjunjëzohemi dhe ta respektojmë veprën e secilit. Kjo është njëra nga veprat që fal angazhimit personal të Muhamet Ajrullahut dhe punës së artistit. Kjo vepër i vije Gjilanit pas Abdullah Tahirit e para Kadri Zekës i cili që do të vendoset në vitin e ardhshëm”, shtoi Haziri.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, tha se kjo ngjarje e dëshmon se heronjtë janë të pavdekshëm.

“Vepra madhështore artistike e zbuluar sot e mozaikut me portretin e vëllait tim të armës dhe idealit, heroit të kombit, Agim Ramadani – Katana, e punuar në mënyrë të veçantë nga kreatori ynë Besart Gashi me mbështetjen e Muhamet Ajrullahut, e konfirmon fuqishëm faktin se dëshmorët janë të pavdekshëm”, tha Quni.

Ndryshe, mozaiku me figurën e Agim Ramadanit është punuar me kapëse metali dhe ka hyrë në librin e rekordeve guinness.

Kategoritë
LajmeVendi