Zaharova: Rusia është konsekuente në çështjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, e quajti Maqedoninë hipokrite, pasi, siç tha, ajo e njohu pavarësinë e Kosovës dhe tani thotë se nuk do të ketë ndryshime të kufirit.

Drejtorja e departamentit të informacionit dhe shtypit në ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, deklaroi se qëndrimi i Rusisë ndaj Kosovës është konsekuent dhe se vendi i saj respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.

“Ne nuk zbrapsemi nga ky qëndrim”, tha Zakharova në një konferencë për mediat bashkë me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç.

E pyetur për qëndrimin e Rusisë lidhur me përcaktimin e kufitit me shqiptarët e Kosovës, Zakharova pyeti nëse Serbia do të kishte një problem lë lidhje me këtë çështje.

“Kur kemi të bëjmë me politikën e jashtme të Rusisë, dikush e pëlqen, ndërsa dikush tjetër jo, megjithatë, ne jemi konsekuentë. Konsistenca ka të bëjë edhe me rastin e Kosovës”, tha ajo.

Zakharova theksoi se çështja e Kosovës nuk prek vetëm Serbinë, sepse, siç u shpreh, është një problem ndërkombëtar, pasi Rezoluta 1244 e OKB-së nuk është shfuqizuar.

Daçiç, nga ana e tij, falenderoi Rusinë për raportin kundrejt Serbisë, për të shtuar se vendi synon një partneritet strategjik me Rusinë.

I pyetur për demarkacionin me shqiptarët, Daçiç tha se ky propozim është një dëshirë për zgjidhje kompromisi për Kosovën dhe se kjo nuk duhet interpretuar si një dobësi.

Ai i quajti hipokritë ata që kanë kundërshtuar ndryshimin e kufijve.

“Si nuk kanë turp ata që thonë se nuk ka ndryshime kufitare, ata që na bombarduan për të ndryshuar kufijtë tanë? Si nuk keni turp, hipokritë? Kjo vlen edhe për Maqedoninë që njohu pavarësinë e Kosovës dhe tani thotë se nuk do të ketë ndryshime të kufirit”, tha Daçiç./AA

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni

Të ngjajshmet