Zaev: Jemi të nderuar me vizitën e Papës Françesku

Zaev tha se lajmi për vizitën e Papës është pritur me gëzim dhe falënderim të madh, duke shtuar se vendi do të ketë nderin që të pranoj në “vizitën e parë historike” kreun e kishës katolike.

Me rastin e vizitës së papës Françesku në Shkup, që është caktuar për më 7 maj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Viktor Dimovski dhe ipeshkvi i Shkupit dhe eparku i Strumicës-Shkupit, Kiro Stojanov, kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media para shtëpisë përkujtimore të Shën Nënës Terezës.

Kryeministri Zaev tha se lajmi për vizitën e Papës Françesku është pritur me gëzim dhe falënderim të madh, duke shtuar se vendi do të ketë nderin që të pranoj në “vizitën e parë historike” kreun e kishës katolike.

“Nderi që na është bërë vendit tonë dhe qytetarëve tanë është akoma më i madh dhe më i rëndësishëm edhe për faktin që Vatikani dhe Republika e Maqedonisë së Veriut këtë vit shënojnë jubile të rëndësishëm, 25 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike”, tha Zaev.

Eparku i Strumicës-Shkupit, Kiro Stojanov, i cili tha se në mesin e shkaqeve të vizitës së Papës Françesku në Shkup është edhe fakti që kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut është vendlindja e Shën Nënës Terezës.

“Kjo shenjtore nga Shkupi është shembull dhe dëshmi për mbarë botën e sotme se si duhet shërbyer ata që më së shumti kanë nevojë dhe se me çfarë dashurie duhet t’u qasemi”, tha Stojanov, duke shtuar se Shën Nënës Tereza bashkë me papën Françesku kanë ndjenjën e dashurisë ndaj të varfërve dhe nevojtarëve, pa marrë parasysh dallimet.

Agjenda e papës Fraçeski gjatë qëndrimit njëditor në Shkup

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Viktor Dimovski, në fjalimin e tij foli për agjendën dhe aspektet teknike të vizitës së Papës Fraçesku në Shkup. Ai tha se kreu i kishës katolike do të arrijë në Aeroportin e Shkupit, ku do të pritet me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.

Më pas do të ketë ceremoni të mirëseardhjes në Pallatin Presidencial, ku do të zhvillohet takim me presidentin dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut.

Papa Françesku do të zhvilloj takim me liderët e bashkësive fetare të Maqedonisë së Veriut në shtëpinë përkujtimore “Nënë Tereza”, ndërsa ngjarja kryesore do të jetë mbajtja e Meshës së Shenjtë në Sheshin “Maqedonia”.

Dimovski u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që janë të interesuar të marrin pjesë në meshë që të aplikojnë për biletat në kishën katolike në Shkup, që janë falas, si dhe të ndjekin instruksionet e sigurisë./AA

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet