YPG/PKK në Siri fëmijët i bëri luftëtarë, shkollat depo municionesh

Në Siri 24 shkolla dhe spitale përdoren në kuadër të aktiviteteve ushtarake, ku YPG/PKK 14 shkolla i përdor si depo municionesh.
Raporti i Kombeve të Bashkuara (OKB) vuri në dukje se organizata terroriste YPG/PKK në Siri, shkollat i përdor si depo municionesh, ndërsa më së shumti luftëtarë fëmijë gjenden brenda organizatës terroriste.

Sipas raportit “Fëmijët dhe përleshjet e armatosura” të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së tek e cila arriti Agjencia AA, tërhoqën vëmendjen shkeljet ndaj fëmijëve, dhuna, dhuna seksuale dhe sulmet ndaj shkollave dhe spitaleve nga shtetet dhe aktorët jashtë shtetërorë në luftërat dhe përleshjet e ndodhura në 20 vende gjatë vitit 2018.

Në raportin e OKB-së u dokumentua se vitin e kaluar në 20 vende janë kryer mbi 24.000 raste të shkeljes dhe dhunës ndaj fëmijëve.

Sipas raportit, është vërejtur një rritje “alarmante” në numrin e shkeljeve të kryera nga shtetet dhe koalicionet ndërkombëtare.

Numri i fëmijëve të vdekur dhe atyre të gjymtyruar në luftëra dhe mjedise të përleshjeve ka arritur në nivele rekorde.

Vendi ku më së shumti fëmijë kanë humbur jetën dhe janë plagosur është Afganistani me 3.062, ndërsa sulmet ajrore dhe ato të bombave fuçi në Siri shkaktuan vdekjen dhe plagosjen e 1.854 fëmijëve.

Në 20 vende të përfshira në raport, janë kryer mbi 1.000 sulme ndaj shkollave dhe spitaleve.

Siria kryeson në listë me 225 sulme ndaj shkollave dhe spitaleve, ku shumica prej tyre janë kryer nga regjimi dhe mbështetësit e tij, ndërsa organizata terroriste YPG/PKK ka sulmuar dy shkolla.

Gjithashtu edhe DEASH, grupet tjera të armatosura dhe koalicioni kundër DEASH-it kanë shënjestruar shkolla dhe spitale.

– YPG/PKK shkollat i përdor si depo municionesh

Në Siri 24 shkolla dhe spitale përdoren në kuadër të aktiviteteve ushtarake, ku YPG/PKK 14 shkolla i përdor si depo municionesh.

Vitin e kaluar më së shumti fëmijë luftëtarë janë përdorur nga organizata terroriste YPG/PKK, që përdor emrin SDG. Sipas zbulimeve nga 806 fëmijë luftëtarë në Siri, grupi terrorist ka rekrutuar 313 fëmijë.

40 për qind e fëmijëve luftëtarë në kuadër të SDG-së janë femra, prej të cilëve 20 për qind janë nën 15 vjeç, si dhe 119 vajza janë pjesë në luftimet aktive.

Hayat Tahrir al-Sham e lidhur me Al Nusra ka rekrutuar 187 fëmijë, ndërsa Ushtria e Lirë Siriane 170 fëmijë.

– Arabia Saudite që 3 vite në listën e zezë të OKB-së

Nga përleshjet në Jemen vitin e kaluar kanë humbur jetën dhe plagosur 1.689 fëmijë. Arabia Saudite e cila për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Jemen që 3 vite gjendet në listën e zezë të OKB-së, vitin e kaluar ka shkaktuar vdekjen ose plagosjen e 729 fëmijëve në shumicën e rasteve në sulmet ajrore.

Huthitë në Jemen shkaktuan vdekjen dhe plagosjen e 398 fëmijëve.

– Somalia me më shumë raste të luftëtarëve fëmijë dhe dhunës seksuale

Somalia u bë vendi i parë me më së shumti fëmijë të rekrutuar, me 2.300 fëmijë. Pas Somalisë me 1.947 fëmijë vjen Nigeria.

Vitin e kaluar gjithashtu u regjistruan 993 raste të dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Më së shumti raste të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, përkatësisht 331 raste u regjistruan në Somali, duke pasuar Republika Demokratike e Kongos me 227 raste.

Rreth 2.500 fëmijë janë rrëmbyer vitin e kaluar. Somalia u bë vendi i parë me 1.609 raste të rrëmbimit të fëmijëve.

Në dhjetorin e kaluar, 1.248 fëmijë shtetas të 46 vendeve të moshës nën 5 vjeçare u sollën në kampet në verilindje të Sirisë nga rajonet të cilat ishin nën kontrollë të organizatës terroriste DEASH.

Ndërkohë në Irak 902 fëmijë vazhdojnë të qëndrojnë të arrestuar për arsyet të lidhjes së tyre me DEASH-in.

– Në Palestinë vitin e kaluar ndodhën më së shumti vdekje të fëmijëve që nga viti 2014

Në Palestinë vitin e kaluar ndodhën më së shumti vdekje të fëmijëve që nga viti 2014. Nga sulmet e shkaktuara nga tensionet mes Izraelit dhe Palestinës humbën jetën 59 fëmijë, ndërsa u plagosën 2.756 të tjerë. Nga pala izraelite u plagosën 6 fëmijë. /AA

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet