Xhamia e re, madhështia e Stambollit

Një projekt gjigant arkitekturor i është shtuar së fundi Stambollit, “qytetit shpirtëror të osmanlinjve”. Arkitektura është planifikuar t’u shërbejë një numri të madh besimtarësh, por ajo qysh tani është shndërruar edhe në një atraksion turistik – shkruan Gazeta e Re.

Bëhet fjalë për një “projekt gjigant i përfunduar para pak ditësh” – thotë Profesori Ali Dula. Ai e ka vizituar  “Çamlıca Cami” , dhe që andej na ka sjellë pamje të freskëta nga jashtë dhe brenda objektit.

“Projekti gjigant i përfunduar para pak ditësh në Stamboll është xhamia Çamlıca. E dizajnuar nga dy arkitekte zonja Bahar Mızrak dhe Hayriye Gül Totu me kosto rreth 60 milion €” – shkruan Dula.

Për më shumë, ai e krahason Çamlıca Cami-në me disa nga objektet arkitekturore monumentale në botën islame:

“Është xhamia më e madhe në Turqi me kapacitet rreth 63 mijë vende për besimtarë, madje mund të thuhet se pas Mekkes dhe Medines kjo është xhamia më monumentale në botë përkrah kapacitetit të vendeve dhe gjithë hapësirës së dizajnuar, është një mrekulli arkitekturore, përbrenda saj çdo gjë thuajse e përkryer.

Enterieri, kaligrafia e muraleve, estetika koloriti, guri i përpunuar, druri i përdorur, akustika – zërimi me teknologji…”

Xhamia e Çamlıçes në Stamboll, përveç që tashmë është xhamia më e madhe në Turqi, ajo është në gjendje të strehojë 63000 besimtarë. Kompleksi madhështor, përveç xhamisë, në vetvete përfshinë edhe një muze, galeri arti, bibliotekë, sallë konferencash dhe parking nëntokësor.

Projekti i arkitekteve Bahar Mızrak dhe Hayriye Gül Totu, ka kapur një kosto prej rreth 150 milion TL (66.5 milion dollarësh), sipas të dhënave zyrtare.

Projekti është një nga numrat e serisë së megaprojekteve të ndërtuara nga qeveria turke. Ajo, edhe njëherë, shpërfaqë fuqinë ekonomike të shtetit. Përveç kësaj, simbolizon lidhjen me trashëgiminë kulturore osmane, përkatësisht islamike.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e inaugurimit të projektit, citohet të ketë thënë se ata do të kujtohen përherë për këtë.

“Kur një kalë vdes, lë pas vetes shalën e tij, kur një njeri vdes, ai lë pas veprat e tij. Ne do të mbahemi mend për këtë” – ka thënë ai.

Xhamia, përveç tjerash, është parë edhe si manifestim i diplomacisë kulturore turke, si dhe një shpërfaqje e vizionit të shtetit të fuqishëm, në raport me botën”.

Prof Dula, i cili duket të ketë qenë i mahnitur me madhështinë e objektit, për Gazeta e Re e ka nisur edhe një video, në të cilën ai e komenton pamjen madhështore të Çamlıçes./I.Topanica/Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet