Xhafer Tahiri e mbështeti Abdixhikun, Haziri e godet me shaka: Me kë bëhet Xhafa, ai humb

Kandidati për kryetar të LDK’së, Lutfi Haziri ka ironizuar me kryetarin e Vushtrrisë Xhafer Tahiri i cili doli publikisht në mbështetje të kandidatit tjetër për kryetar Lumir Abdixhiku.

Haziri i cili zyrtarizoi kandidaturën për kreun e LDK’së sot nga Gjilani, komunë të cilën e drejton tha se atë kandidat që e mbështet Xhafer Tahiri ai humb.

“Unë jam konsultuar me të gjithë autoritetet dhe njerëzit që LDK’së i kanë dhënë kontribut. Për mu është e vlefshme që delegati me votu shlirë, sepse LDK nuk e pranon logjikën e ndarjes së brendshme, dhe secili shlirë mundet me votu. Dje një koleg i imi që ka dalur dje me tifozllëk me mbështet është pjesë e vendimi të tij, por ajo që thuhet në LDK është me kënd të bëhet Xhafa humb ai, është e vërtetë”, tha Haziri gjatë zyrtarizimit të kandidaturës.

Teksa është pyetur se a ka qenë gabim i LDK-së edhe largimi i Vjosa Osmanit, nga partia, Haziri tha se asnjëherë nuk e ka parë atë jashtë LDK-së.

Haziri u shpreh i bindur se njerëzit e LDK-së do të pajtohen dhe të kthehen të japin kontribut për partinë.

“Detyrimisht. Kurrë nuk e kam parë jashtë LDK’së. Ka qenë momenti i saj. Nuk ka mujt askush me preventu politikisht. Kemi punuar në 2019 dhe kjo është ajo që LDK-ja nuk ka ra në dekadë. Rënia e LDK-së ka ndodhur nga 6 tetori më 14 shkurt. Si rezultat duhet ta shohim këtë periudhë kohore se ku ka qenë gabimi jonë. Ka pasur humbje të besimit dhe largim nga LDK-ja për arsye të caktuar. Besoj që tash kanë me u pajtu dhe me u kthy në LDK dhe me e dhënë kontributin e tyre”, ka thënë ai

Deri më tani tre kandidatë kane zyrtarizuar kandidaturën e tyre për kryetar të LDK’së, Lumir Abdixhiku, Anton Quni dhe Lutfi Haziri.

Kategoritë
LajmeVendi