VV: Rrëfimi i Vasfije Krasniqit dëshmon papërgjegjësinë e institucioneve të drejtësisë

Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar institucionet e drejtësisë se kanë dështuar të japin dënimin e merituar personave për dhunime gjatë luftës në Kosovë, ndërsa kërkoi që për të mbijetuar e dhunës të ndihmohen nga shteti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se rrëfimi i mbrëmshëm i Vasfije Krasniqit për mënyrën se si u dhunua nga pjesëtarët serbë gjatë kohës së luftës, theu heshtjen e të gjitha grave të dhunuara. Sipas tij, kjo kategori e shoqërisë tonë duhet të ndihmohet nga shteti dhe shoqëria pa kursim.

Kurti: Gratë e dhunuara gjatë luftës duhet t’i ndihmojë shteti

“Mbrëmë zonja Vasfije Krasniqi nga Vushtrria foli ajo rrëfeu publikisht tmerrin e përdhunimit që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë kur ishte vetëm 16-vjeçe, rrëfeu edhe për një proces gjyqësor të dështuar më vonë, e i cili i la të lirë përdhunuesit me uniformë. Përdhunimin e shqiptarëve e ka përdorur si mjet lufte janë mija gra e vajza të dhunuara madje 20 mijë thuhet. Zonja Krasniqi e theu heshtjen, Vasfijen dhe gratë tjera të përdhunuara duhet t’i dëgjoj e t’i ndihmojë shteti e shoqëria pa rezervë dhe pa kursim”, ka thënë Kurti.

Deputetja Albulena Haxhiu tha se UNMIK dhe EULEX qëllimshëm i dështuan proceset gjyqësore për rastet e grave të dhunuar nga serbët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Haxhiu tha se pas rrëfimit të Vasfije Krasniqit ka dyshime se gjyqtarët e rastit të saj ishin të korruptuar. Duke kërkuar që rasti i Vasfije Krasniqit të kthehet në zero, deputetja e Vetëvendosjes tha se familjarët e Krasniqit kanë dëshmi se një përdhunuesit tani është pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Haxhiu: UNMIK dhe EULEX qëllimshëm i dështuan proceset gjyqësore

“Së pari, drejtësia ndërkombëtare, gjegjësisht misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-u, dhe misionin i Bashkimit Evropian pra EULEX-i qëllimshëm i kanë dështuar proceset gjyqësore të kësaj natyre me veprimet e tyre të padrejta dhe me mos veprimet e tyre zyrtarët e këtyre misioneve kanë amnistuar de-fakto krimet e regjimit të Millosheviqit. Ka baza dyshimi se në rastin e Vasfije Krasniqit gjyqtarët e rastit janë të korruptuar ne këtë e kuptuam edhe dje pas asaj që dëgjuam, pas rrëfimit të Vasfijes dhe nga familjarët dhe të paktën njëri nga policët që kishte kryer krimin mbi Vasfijen është pjesëtar i Policisë së Kosovës. Pas atij rrëfimi që të gjithë qytetarët e Kosovës e dëgjuan mbrëmë dëshmohet papërgjegjësia e institucioneve vendore për t’i dal në krah viktimave të dhunës seksuale, këto institucione veçanërisht sistemi i drejtësisë dhe ekzekutivi nuk kanë bërë asnjë veprim në kërkim të drejtësisë“, tha Haxhiu.

Ajo po ashtu tha se institucionet e Kosovë nuk duhet të vazhdojnë me ketë qasje në raport me Serbinë.

Ndërsa, Nazlije Balaj udhëheqëse e sekretariatit të Gruas Aktiviste, u shpreh se shoqëria dhe shteti ua ka borxh grave të dhunuara që të sjellë kryesit e krimit para drejtësisë.

Balaj: Ua kemi borxh t’i sjellim kryesit e krimit para drejtësisë

“Thirrja e saj bëhet sepse shqiptarët po i shmangen së tepërmi së kaluarës së tyre, gjithnjë mbetemi peng i të kaluarës nëse i shmangemi asaj e kaluara është shenj e një lufte të pambaruar, luftës për drejtësi, dhe luftën për të vërtetën e grave dhe vajzave në Kosovë. Si shoqëri dhe si shtet ua kemi borxh që bashkërisht të luftojmë për drejtësi, ua kemi borxh që t’i sjellim kryesit e këtyre veprave para drejtësisë, ua kemi borxh sepse vetëm kështu ndërtohet edhe paqja edhe drejtësia”, tha Balaj.

Ndryshe, mbrëmë Vasfije Krasniqi për herë të parë ka rrëfyer publikisht tmerrin e përdhunimit që përjetoi në moshën 16-vjeçare nga serbët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet