Vushtrria do të bëhet me fabrikë për përpunim të peshkut

Kuvendi Komunal i Komunës së Vushtrrisë ka marrë vendim për të aprovuar kërkesën e kompanisë “Emona” sh.p.k në Vushtrri, kompanisë kroate “Conex Trade” dhe kompanisë spanjolle “Onnorsa” për dhënien në shfrytëzim afatgjatë me kompensim të tokës në pronësi të komunës, për realizimin e projektit “Ndërtimi i fabrikës për përpunimin e peshkut të detit”.

Komuna e Vushtrrisë ka ofruar një parcelë prej 5 hektarësh në fshatin Gracë. Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, tha se me ndërtimin e kësaj fabrike në fazën fillestare do të punësohen 208 punëtorë.

Ai bëri të ditur se përparësi në punësim do të kenë gratë.

“Një prej detyrave themelore të një kryetari është krijimi i mundësive për bizneset për të krijuar vende të reja të punës. Këto vite të qeverisjes jemi munduar të krijojmë kushte për bizneset që të bëjnë biznes. Kam marrë kërkesë nga këto kompani për dhënien në shfrytëzim të tokës komunale. Pritet 400 deri në 500 punëtorë kryesisht nga Vushtrria, si fazë fillestare është paraparë të punësohen 208 punëtorë. Vlera e këtij projekti është mbi 7 milionë euro”, tha ai.

Përfaqësuesi i kompanisë kroate, Mladen Milakoviq, tha se faza e parë e projektit pritet të fillojë shumë shpejt.

“Faza e parë e projektit do të fillojë shumë shpejt dhe qysh në fillim do të punësohen rreth 200 punëtorë dhe shumë shpejt do të fillojë edhe ndërrimi i dytë. Nëse gjithçka shkon sipas planit  do të dyfishojmë  punësimin”, tha ai.

Latif Resyli nga Emona, tha se në fazën e parë janë paraparë që të punësohen 208 punëtorë  e më tej ky numër të rritet deri në 500.

“Na ka pëlqyer struktura e të punësuarve. Në Vushtrri është shumë më lehtë me gjet punëtorë në Vushtrri. Për fazën fillestare është paraparë punësimi i 208 punëtorë, për të vazhduar më tej deri në 400 ose 500”, tha ai.

Mbështetje këtij projekti i kanë dhënë të gjithë përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë.

Kategoritë
Ekonomi

Të ngjajshmet