Vuçiq thotë se dorëheqja e Haradinajt është mashtrim politik

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, doli në një konferencë për media pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Vuçiq tha se dorëheqja e Haradinajt është mashtrim politik për të rritur popullaritetin në Kosovë.

“Dorëheqja e Haradinajt është mashtrim politik për të fituar më shumë popullaritet, por, kjo do të çojë drejt sjelljeve të dhunshme të shqiptarëve ndaj serbëve sepse Haradinaj do të bëhet një hero që lufton për një Kosovë të unifikuar dhe gjithëpërfshirëse dhe të gjithë të tjerët janë të padenjë për këtë lider të madh që i drejton ata në një të ardhme të ndritshme”, tha Vuçiq.

Kreu i shtetit serb tha se presioni ndaj vendit të tij do të rritet ndjeshëm në dy muajt e ardhshëm për të njohur pavarësinë e Kosovës. Ai tha se pret që ky presioni të rritet sidomos gjatë muajit shtator.

Vuçiq tha se politika në Prishtinë dhe Tiranë tashmë do të intensifikojë përpjekjet për një “Shqipëri të madhe”, porse Serbia duhet të qëndrojë e qetë dhe të tregohet e matur.

Presidenti serb tha se nuk ka hapësirë për gëzim dhe eufori në mesin e popullit të tij për ftesën që Gjykata Speciale i ka drejtuar Haradinajt.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni

Të ngjajshmet