Vuçiq: Nuk jemi afër marrëveshjes politike me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i minimizoi shpresat se marrëveshjet për bashkëpunim ekonomik me Kosovën, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, mund të çojnë së shpejti në marrëveshje politike me Kosovën.

Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që të ndërmarrin hapa drejt bashkëpunimit ekonomik, duke përfshirë punën në projekte të përbashkëta të infrastrukturës.

Dy palët kanë nënshkruar marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.

Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, Vuçiq i përshkroi marrëveshjet e Uashingtonit si një hap i madh në drejtim të duhur, por tha se ka një rrugë të gjatë deri te normalizimi politik.

“Mendoj se marrëveshjet e tilla janë shumë të rëndësishme për të ruajtur paqen dhe për t’i zgjidhur, njëherë e përgjithmonë, problemet tona, për të pasur të ardhme të qartë për fëmijët tanë”, tha Vuçiq.

Presidenti serb foli për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Kosovën.

“Kur ju ndiqni politikën që Serbia duhet ta ndjek, duhet të keni parasysh situatën rreth Kosovës, presionet e fuqishme me të cilat po përballemi nga të gjitha anët. Kur keni një situatë të tillë në një vend të vogël në një udhëkryq gjeografik, atëherë duhet të ndiqni një politikë të paqes dhe stabilitetit dhe jo të urretjes dhe kur të urreni, ju duhet t’i urreni në mënyrë të barabartë të gjithë”, tha Vuçiq, transmeton Telegrafi.

“Nuk po them se jemi afër një zgjidhjeje politike [me Kosovën]”, shtoi ai.

Vuçiq, megjithatë, e përshkroi bashkëpunimin ekonomik si “çelës” të çdo marrëveshjeje politike në të ardhmen.

Marrëveshjet për normalizimin ekonomik janë nënshkruar nga Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Dy palët nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Të martën, në Beograd qëndroi një delegacion amerikan, i udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili diskutoi për mundësinë e financimit të projekteve.

I njëjti delegacion e vizitoi Kosovën të hënën.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni

Të ngjajshmet