Vuçiq: Nuk dimë asgjë për marrëveshjen përfundimtare me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është befasuar me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, se në Bruksel ka nisur të shkruhet marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiq tha se askush në Bruksel nuk i mohoi ato pretendime, por vetëm shkrimet e “disa prej gazetave tona që transmetuan deklaratën e Hotit”.

“Ne nuk dimë asgjë për të. E vetmja gjë që dimë është se ne duam të negociojmë për këto tema që janë vënë në tryezë, por do të kërkojmë që të diskutohet edhe për mosrespektimin dhe të shohim se kur do të përmbushet ajo që është nënshkruar në prill të vitit 2013 [v.j. Marrëveshja e Brukselit], e ajo është bashkësia e komunave serbe”, tha Vuçiq në një konferencë për media në Beograd.

Ekipet e ekspertëve nga Prishtina dhe Beogradi janë duke marrë pjesë në një raund tjetër bisedimesh, sot në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe agjenda e tyre përfshin diskutimin për personat e zhvendosur dhe çështjet ekonomike.

Duke u thirrur në burime diplomatike, gazeta serbe “Veçernje Novosti” ka shkruar më 29 korrik se delegacionit të Beogradit do t’i dorëzohet drafti i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në Bruksel, që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës.

Zëdhënësi kryesor i Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, Peter Stano, i mohoi këto pretendime.

Vuçiq tha se “nuk duket logjike” që Hoti “të ketë shpikur gjithçka”.

“Kjo është arsyeja përse unë dua që të diskutohet dhe që Bashkimi Evropian t’i kuptojë nevojat dhe kërkesat e Serbisë dhe jo vetëm nevojat dhe kërkesat e vendeve anëtare. Shpresoj të ndodhë kështu. Kam besim të plotë në ekipin negociator të BE-së dhe në ekipin tonë negociator. Nuk është kompromis që Serbisë t’i merret gjithçka dhe shqiptarëve t’iu jepet gjithçka”, tha Vuçiq.

Më 23 korrik, kur është mbajtur takimi midis Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh – i pari pas rifillimit të dialogut në nivel të lartë, më 16 korrik – kryeministri i Kosovës, Hoti, ka thënë se në Bruksel “ka nisur draftimi i marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë”.

Hoti ka shtuar se “dialogu nuk ka alternativë“, porse “dialogu teknik ka përfunduar“.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet