Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan deklaratë për pikat kufitare

Liderët e tre shteteve kanë dërguar ftesa për t’iu bashkuar “Shengenit të vogël” edhe anëtarëve të tjerë të “gjashtëshes Ballkanike”, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama, kanë nënshkruar deklaratë për lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, raporton Anadolu Agency (AA).

Dokumenti i nënshkruar parasheh që deri në fund të vitit 2021 këto tre shtete në Ballkanin Perëndimor të kenë sistem të unifikuar i cili do të mundësojë ambient më të mirë afarist, transport më të lehtë të mallrave dhe punësim si dhe kalim të kufijve vetëm me kartë identiteti.

Liderët e tre shteteve kanë dërguar ftesa për t’iu bashkuar “Shengenit të vogël” edhe anëtarëve të tjerë të “gjashtëshes Ballkanike”, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi.

Tre nënshkruesit janë pajtuar se bëhet fjalë për një dokument shumë të rëndësishëm i cili ekonomikisht do të forcojë rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të ndikojë në sasinë më të madhe të investimeve të huaja, por edhe në planin ndërkombëtar zëri i rajonit të unifikuar ekonomikisht do të ketë peshë më të madhe politike para institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare.

“Nuk guxojmë të jemi peng i historisë dhe burokracisë, duhet të bëjmë diçka për të ardhmen e fëmijëve tanë”, porositi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se katër liritë për të cilat është nënshkruar marrëveshje janë bazamenti në të cilin mbështetet Bashkimi Evropian (BE) dhe se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë potenciale të pashfrytëzuara.

“Kjo iniciativë është një hap politik për relaksimin e raporteve në rajon. Ballkani më nuk është ‘fuçi baruti’ siç ka qenë në shekullin e 19-të. Ky është shekulli i 21-të i cili është i përqendruar në paqen, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, integrimin dhe avancimin e kualitetit të jetesës”, tha Zaev.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se ky është një mundësi për rajonin që të jetë më i respektuar në raportet ndërkombëtare, duke shtuar se me këtë duhet të sigurojet zhvillim i rëndësishëm i shteteve nënshkruese të deklaratës. Ai gjithashtu tha se bëhet fjalë për rajon me 12 milionë njerëz dhe se lëvizja e lirë e mallrave, parave, njerëzve dhe shërbimeve është me rëndësi fundamentale për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti serb përmendi të dhënat e Bankës Botërore se në kufijtë në rajon në vit humben 26 milionë orë duke pritur lëvizjen e mallrave, duke theksuar se me këtë protokoll krijohen kushte për ndryshimin e kësaj situate.

Liderët e tre shteteve janë pajtuar që takimi i radhës të mbahet më 10 nëntor në Ohër, ndërsa takimi tjetër një muaj më vonë në Shqipëri. Është paralajmëruar se do t’u dërgohet ftesë edhe anëtarëve tjerë të “gjashtëshes ballkanike”, me shpresë se deri atëherë do të zgjidhet çështja politike e emërimit të qeverive në Prishtinë dhe Sarajevë.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet