Votohet reforma kushtetuese në Rusi, Putin mund të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036

Populli rus do të vendosë për shtatë ditë më radhë disa propozime historike në Kushtetutë dhe mundësinë për ta mbajtur në pushtet për 16 vite të tjera, presidentin Vladimir Putin.

Në Rusi po mbahet referendumi për reformën kushtetuese dhe për zgjatjen e mandatit presidencial të kreut të shtetit, Vladimir Putin, deri në 2036-ën.

Ndërsa data fillestare e referendumit ishte përcaktuar 1 korriku, dhe më herët akoma 22 prilli, autoritetet njoftuan se duke ditur rrezikun e lartë të infeksionit nga kovidi i ri për shkak të dyndjes së qytetarëve, është vendosur hapja e vendvotimeve deri të mërkurën e ardhshme.

Gjatë procesit, për 110 milionë votuesit rusë janë siguruar maska dhe substanca dezinfektuese.

Ata përballen vetëm me dy alternativa, pro dhe kundër ndryshimeve thelbësore në Kushtetutë që heqin kufizimet për mandatet presidenciale, i japin ligjit themelor të vendit përparësi përpara atij ndërkombëtar, i japin Dhomës së Ulët të parlamentit fuqinë për të miratuar kryeministrin dhe anëtarët e kabinetit, përcaktojnë kërkesat që duhet të përmbushin zyrtarët e lartë të shtetit, madje propozimet bëjnë të qartë me Kushtetutë se martesa është marrëdhënie vetëm e burrit me një grua, duke i bërë të pamundura martesat mes gjinive të njëjta.

Përpos heqjes së kufizimit të mandatit personal presidencial, reforma kushtetuese i siguron 67-vjeçarit Putin pushtet më të madh për qeverisjen e vendit, ndërsa kabinetit ekzekutiv i njeh kryesisht funksionin e organizimit të punëve shtetërore, edhe këto me nismë të presidentit.

Kreu i shtetit qëndron në pushtet prej 20 vitesh herë si president dhe herë si kryeministër, dhe thotë se ndryshimet e propozuara do i shërbejnë Rusisë për dekadat që vijnë.

Megjithëse referendumi popullor nuk është i detyrueshëm, presidenti thotë se plebishiti i jep legjitimitet propozimeve të tij.

Një sondazh vendor ka nxjerrë se deri 71 për qind e popullit e mbështet punën e kryeshtetarit.

Opozita e ka cilësuar referendumin grusht shteti ndërsa ka kritikuar edhe alternativën e votimit me internet që po shfrytëzohet nga rreth 1 milionë banorë të Moskës. Reformat në Kushtetutën ruse janë të parat që prej vitit 1993, dhe paraprakisht u miratuan me shpejtësi nga të dyja dhomat e parlamentit dhe ligjvënësit rajonalë.

Kategoritë
BotaLajme