“Votat e Babës”

Teuta, Mergimi dhe Andini pozitën emblematike të përfaqësimit të popullit e morën me respektin për veprat dhe emrat e baballarëve të tyre, por vazhdimin e ekzistencës së tyre në skenën politike do ta projektojnë vetë. Ja do ti bëjnë krenar emrat e baballarëve të tyre dhe do vazhdojnë karrierën politike, ja do të kthehen në turp për ata, e në zhgënjim për votuesit që besuan në mbiemrat e tyre.

Shkruan: Ekrem Zajmi*

Nuk ka dyshim, zgjedhjet e 11 qershorit ishin një dëshmi praktike se qytetarët e Kosovës janë tërësisht „dakord“ me normat e demokracisë. Delegimin e pushtetit përmes votës tek një pjesë e të përzgjedhurve politik, siç duket, tashmë e kemi kuptuar në ndër dijen tonë si formën më të mirë të shpërblimit dhe ndëshkimit të përfaqësuesve duke e tejkaluar tashmë votën rutinë, shtrirjen krahinore ose bastionet, përafrimin ekstrem me figurën e liderit apo edhe orientimet ideologjike apo religjioze.

Thjeshtë Kosova ndonëse është shteti më i ri në rajon, si duket në disa fusha të praktikës demokratike, mbetet shembull i mirë me gjithë sfidat dhe ngecjet e shumta.

Ndër veçoritë interesante në këto palë zgjedhjesh, ishte dhënia e votës bazuar mbi emrin ose meritat e babës. Përbërja e legjislaturës së re në Kuvendin e Kosovës do të ketë së paku tre deputet të cilët morën mbështetjen e qytetarëve kryesisht mbi meritat dhe të bëmat e prindërve të tyre.

Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ishte lideri më i votuar përgjatë gjithë garave elektorale në Kosovë, gjatë gjithë karrierës së tij politike. Këtë respekt dhe simpati ndaj Presidentit të ndjerë, qytetarët e Kosovës për së dyti herë në një far formë po ja atribuojnë vajzës së tij Teuta Rugova. Teuta në legjislaturën e kaluar u bë pjesë e Kuvendit të Kosovës në radhët e partisë së babait të saj.

E re në moshë dhe shumë pak, për të mos thënë aspak aktive në mandatin e parë si deputete, ndonëse me rreth 27 mijë vota më pak, asaj ju besua edhe një mandat për ti përfaqësuar qytetarët e Kosovës në Kuvend.

Në zgjedhjet e 11 qershorit, Mergim Lushtaku, djali Sami Lushtakut, ndonëse shumë aktiv si studentë, nuk ishte ndonjë figurë publike me ndonjë kontribut të rëndësishëm në skenën politike në Kosovë. Ai arriti që me “votat e babës” të renditet në dhjetëshen më të votuar të koalicionit parazgjedhor PAN. Mergimi në listën prej 39 deputetëve, përkundër konkurrencë së jashtëzakonshme brenda partiake, doli i nënti me radhë duke lënë prapa shumë deputet e ministra bajagi me relevancë në karrierën e tyre politike.

Po në të njëjtin koalicion dhe në të njëjtën garë të rreptë, pakë më poshtë se Mergimi, radhitej edhe Andin Hoti. Andinin e kam parë në televizion për herë të fundit kur replikonte me motrën e tij nga babai Erleta Hoti në lidhje me fatin e Ukshin Hotit – babait të tyre të ndjerë.

Ukshin Hoti ishte ndër mendjet më të ndritura që kishte Kosova. Respekti për emrin dhe veprën e tij është i freskët gjithandej në Kosovë. Ky admirim për mjeshtrin e letrave dhe arkitektin e ngjarjeve me rëndësi për situatën e atëhershme në Kosovë, u konvertua në votë për të birin Andinin.

Teuta, Mergimi dhe Andini pozitën emblematike të përfaqësimit të popullit e morën me respektin për veprat dhe emrat e baballarëve të tyre, por vazhdimin e ekzistencës së tyre në skenën politike do ta projektojnë vetë. Ja do ti bëjnë krenar emrat e baballarëve të tyre dhe do vazhdojnë karrierën politike, ja do të kthehen në turp për ata, e në zhgënjim për votuesit që besuan në mbiemrat e tyre.

 

*I diplomuar në Shkenca Politike

 


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet