Vonesa në linjën Shtutgart-Prishtinë, AAC: Udhëtarët mund kërkojnë kompensim nga kompania ajrore

​Para dy ditësh, më 24 korrik, aeroplani i kompanisë ajrore ALK Airlines (ALK JSC) me regjistrimin gjatë fazës së nisjes së fluturimit nga Shtutgarti për në Prishtinë, ka pësuar një rrjedhje të lëngut hidraulik nga aktivizuesi i spoilerit të fluturimit në krahun e djathtë.

Ekuipazhi i fluturimit e ka ndërprerë nisjen dhe ka kthyer aeroplanin në platformë duke i zbritur të gjithë udhëtarët nga aeroplani, ndërsa kompania ajrore është munduar ta riparojë defektin e shkaktuar.

Mekanikët e angazhuar nga kompania kanë rregulluar defektin dhe përfundimisht, aeroplani është nisur në të njëjtën ditë nga Shtutgarti rreth orës 18:40 dhe ka arritur në Prishtinë në orën 20:24, me një vonesë të përgjithshme prej 6 orësh e 24 minutash.

Menjëherë të nesërmen, më 25 korrik, inspektorët e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës kanë kryer një inspektim në platformë të mjeteve ajrore të operatorëve të huaj të aeroplanit LZ-MVK të ALK Airlines, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Gjatë këtij inspektimi, inspektorët nuk kanë konstatuar ndonjë gjetje që do të ndikonte në sigurinë e këtij mjeti ajror për fluturim.

AAC thotë se është në dijeni për pakënaqësitë e udhëtarëve për situatën e krijuar lidhur me vonesën e këtij fluturimi të kësaj kompanie ajrore për të cilin kanë shprehur keqardhje, por njëkohësisht ata kanë informuar të gjithë udhëtarët se sipas legjislacionit në fuqi mund të kërkojnë kompensim nga kompania ajrore për vonesën e shkaktuar.

Kategoritë
DIASPORALajme

Të ngjajshmet