Vjeshta po troket bashkë me gripin, kështu duhet t’i mbroni fëmijët…

Përhapja epidemike e sëmundjes së gripit, është më se e zakonshme në muajt ku temperaturat fillojnë të luhaten, në muajt e ftohtë të vitit. Prej të atakuarve, më të ndjeshmit si kategori, mbeten fëmijët. Në vigjilje të vjeshtës, nëpër korridoret e spitaleve e ordinancave, fluksi i prindërve të shqetësuar që mbajnë në krah fëmijët e sëmurë, duket se po rritet – shkruan Gazeta e Re.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), para disa muajsh raportonte se në periudhën 5 deri 11 shkurt 2018, janë raportuar “7123 raste të dyshimta të gripit, 333 raste me infeksion respirator akut dhe 6 raste të rënda me sëmundje të rëndë aspiratore akute. Në laboratorin e Qendrës Kombëtare të Gripit IKSHPK deri më 14 shkurt 2018 janë testuar gjithsej 403 mostra për tipizim dhe subtipizim në grip. Prej tyre 202 ose 52% kanë rezultuar pozitive në influencë. Sipas tipit të influencës, 84 mostra janë pozitive në influencë A dhe 118 në influencë B”. Por periudha e verës ka shënuar një rënie të numrit të sëmurëve, e tash në prag të vjeshtës, hetohet një fluks në ngritje i numrit të pacientëve me grip.

Por për specialistët, një tretman adekuat, nëse është e nevojshme edhe nën kujdesin e tyre, është kriter i mjaftueshëm për t’ia dalë mbanë edhe me këtë problem. Pediatri Dr. Ismail Lutolli, jep disa këshilla të vyeshme për prindërit, se si ata duhet të kujdesen që sistemi imunitar te fëmijët, të jetë i fortë sa t’i përballojë më mirë viruset dhe bakteriet që e sulmojnë organizmin.

  1. Parakushti i parë për ta përballuar suksesshëm gripin: sistemi imunitar i fortë te fëmijët

Në artikullin ‘Imuniteti i fëmijëve’, të publikuar në portalin ‘Familja dhe Shëndeti’, një platformë mediale ekskluzivisht e dedikuar për këshilla shëndetësore, ndër të tjera, ai renditë këta faktorë të rëndësishëm të cilët do të luajnë rol në forcimin e imunitetit të fëmijës:

  1. Qumështi i gjirit;
  2. Ushqimi i mirë dhe cilësor, dietë e ekuilibruar;
  3. Sigurohuni që fëmija juaj të ketë gjumë të qetë dhe të mjaftueshëm;
  4. Aktiviteti fizik i domosdoshëm;
  5. Pakësimi i marrjes së ëmbëlsirave dhe sheqerit;
  6. Sigurohuni që fëmija të merr lëngje mjaftueshëm;
  7. Marrja e acideve yndyrore të pangopura;
  8. Marrja e vitaminave dhe mineraleve të nevojshme;
  9. Mos i ekspozoni fëmijët tuaj tek pirja pasive e duhanit etj.

Për sa i përket vitaminave dhe mineraleve, ai sugjeron që fëmijët të ushqehen me: limon, portokall, papajë, kivi, luleshtrydhe, apo perime, veçanërisht speca, brokoli e lakra, pastaj edhe mish peshku, qumësht, vezë, kërpudha, drithëra, gjizë pa kripë, fasule, mish i lope, mish bibe etj.

  1. A ndihmojnë antibiotikët?

“Pjesa dërmuese e sëmundjeve në moshën e fëmijërisë janë të shkaktuara nga infeksionet virale. Çdo përdorim i panevojshëm i antibiotikëve, vetëm do komprometoj sistemin imunitar dhe do të krijojë rezistencë ndaj antibiotikëve në të ardhmen. Evitoni përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve, mos e vrisni të ardhmen imunitare të fëmijëve tuaj.
Insistoni nga mjeku të dini arsyen e saktë të përdorimit të antibiotikëve dhe kjo të dokumentohet më analiza ose ekzaminime përkatëse” – këshillon specialisti Lutolli.

Në një artikull tjetër, ai shpjegon më tutje arsyet se kur duhet të aplikohet marrja e antibiotikëve: “Nëse shkaku i temperaturës së rritur është: angina e qelbëzuar (fyt apo bajame të qelbëzuara) ,infeksion të traktit urinar, sëmundja duhet të trajtohet me antibiotik por pasi të jenë bërë analizat përkatëse dhe konstatimi i saktë i gjendjes klinike. ”

Sipas Dr. Lutollit, temperatura e ngritur e cila shoqërohet me skuqje të fytit dhe rrjedhje të hundëve, është arsye e shpeshtë, por jo e justifikueshme, se pse u përshkruhen për përdorim antibiotikët fëmijëve. Në 95% të rasteve, simptomet tregojnë se janë shkaktuar nga infeksioni viral dhe rrjedhimisht nuk kanë nevojë për antibiotikë. Për aq sa është e mundur, sipas tij, përdorimi i antibiotikëve duhet shmangur. Ai i referohet një shpjegimi që vjen nga Shoqata Amerikane e Pediatrisë, e cila thotë që temperatura deri në 38°C, nuk duhet t’i shqetësojë prindërit. Ata nuk duhet të nguten që t’i japin fëmijës antibiotikë apo medikamente për zbritjen e temperaturës. Në vend të kësaj, sugjeron metoda të tjera më natyrale, si fjala vjen: Larja me ujë të vakët, mbështjellja me peshqirë të lagur, zhveshja e rrobave të tepërta etj. Vjeshta po vjen bashkë me grip, andaj, këto këshilla duhet t’i marrë parasysh secili prind./Gazetaere.com/

Kategoritë
FamiljeShëndetësi

Të ngjajshmet