Vjedhjet kibernetike në testin e maturës (Foto/Dokument)

Në tërë këtë histori e vetmja përparësi që po tregojnë nxënësit, janë njohuritë mbi përdorimin e teknologjisë, përkatësisht internetit. Rrjetet sociale janë shfrytëzuar në maksimum, për t’i bartur informatat nga një nxënës tek tjetri. Kësisoj edhe kësaj radhe ky test ka shfaqur një ndër dobësitë më të mëdha me të cilat karakterizohet sistemi i arsimit – shkruan Gazeta e Re.

Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT), e ka cilësuar si të rregullt procesin e mbajtjes së Testit të Maturës Kombëtare – 2019. Paraprakisht, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ajo ka paralajmëruar masa ndëshkuese për të gjithë shkelësit dhe manipulatorët që do të identifikohen. Më saktësisht përgjegjësia për këtë bie mbi Komisionin Shtetëror të Maturës (KSHM). Ky i fundit ka konstatuar që parregullsitë nuk kanë qenë aq të mëdha sa të ndikojnë në rezultatet e gjithë procesit.

Më saktë, disa prej të zbuluarve, do t’u nënshtrohen masave ndëshkuese:

“ Gjatë mbajtjes së testit janë përjashtuar nga procesi 54 nxënës, të cilët do ta humbin këtë afat të testimit. Administruesit, të cilët i kanë shkelur rregullat janë: Luljeta Gashi, Kimete Mejtani dhe Hazbije Zeqiri, të cilat kanë qenë të angazhuara në Podujevë. Ndërsa, edhe për dy administrues të tjerë, janë duke u vërtetuar provat për shkelje dhe gjatë ditës së nesërme, nëse vërtetohen shkeljet, do të bëhen publik emrat e tyre.”

Sipas KSHM-së ndaj këtyre administruesve do të inicohen “masat sipas vendimeve në fuqi”. Sipas këtij organi përgjegjës për monitorimin e procesit të testimit, drejtoritë komunale të arsimit, si dhe vet Policia e Kosovës, kanë qenë mjaft kooperues, prandaj edhe u falënderohet për bashkëpunimin.

Megjithatë dëshmitë që kanë qarkulluar nëpër media, e tregojnë të kundërtën. Përmasat e “vjedhjeve kibernetike”, duket të kenë qenë të mëdha, e mbase edhe në nivel kombëtar. Maturantët kanë formuar grupe në Viber, WhatsApp e Facebook dhe aty kanë shkëmbyer informata mbi testin, përkatësisht përgjigje për pyetjet e shtruara.

Gazeta e Re i ka siguruar disa fotografi që e dëshmojnë këtë, ndërsa mediumi ynë nuk është i vetmi që po raporton për këto vjedhje masive.

Siç e dini, një ditë më parë (e mërkurë), 4 mijë maturantë të rajonit të Prishtinës, të ndarë në 29 qendra testuese, kanë pasur për detyrë t’i nënshtrohen testit të ashtuquajtur ndryshe edhe si testi i pjekurisë. Por pjekuria e tyre duket që e ka arritur stadin e saj vetëm në një aspekt – atë të njohurive mbi teknologjinë informative, përkatësisht internetin. Saktësisht testi ka pasur të bëjë me lëndët: Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze.

Edhe sot këtij testi i janë nënshtruar nxënësit e rajonit të Ferizajt dhe Gjilanit. Dukuria e vjedhjeve, me shumë gjasë është përsëritur edhe sot.

Meqë kjo gjë është përsëritur edhe në vitet e kaluara, zyrtarët e MASHT-it patën premtuar që pranë sallave ku do të mbahej testi, të përdoren bllokues të valëve të telefonit, por kjo metodë nuk është aplikuar asnjëherë.

Testet ndërkombëtare (si ai i PISA-s), kanë shpërfaqur nivelin real të njohurive të nxënësve kosovarë. Sistemi parauniversitar, sipas rezultateve të viteve paraprake, është renditur në fund të listës së shteteve me sistemin më të dobët të arsimit. Prandaj masat që duhet ndërmarrë në parandalimin e dukurive të vjedhjeve në testet shtetërore, sipas ekspertëve, duhet të jenë edhe të ashpra edhe të shpejta./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet