Vjedhja e shtetit

Mungesa e kulturës për ruajtjen e pronës publike manifestohet në çdo kënd të shoqërisë. Ndërmarrjet publike, më të njohurat në vend, janë bërë çerdhe ku punësohen militantë partiakë, të afërm të zyrtarëve politikë. Megjithatë, reagimet janë, për çudi, të buta – shkruan Gazeta e Re.

Post Telekomi i Kosovës (PTK), është kthyer përsëri në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Punësimet e militantëve, e deri edhe të afërm të politikanëve të njohur, e ka ngritur dilemën nëse ky institucion mund të qëndrojë edhe për pak ditë në këmbë. Spekulimet se ky aset, dikur dobiprurës, është në prag të falimentimit, kanë filluar shumë herët. Megjithatë, sipas raportimeve të ndryshme, janë disa hapa të cilët e kanë sjell buzë greminës atë.

Vitin e kaluar Sindikata e Punëtorëve të PTK-së, pat dorëzuar një dosje në Departamentin e Krimeve Ekonomike, nëpërmjet së cilës provonte të argumentonte se gjatë periudhës 2009 – 2018 janë nënshkruar gjashtë kontrata dhe disa anekskontrata, të cilat dyshohet se e kanë sjell para aktit të kryer ndërmarrjen në fjalë.

“Ne besojmë fuqishëm se duhet të zbardhen të gjitha ato që i kanë ndodhur Telekomit të Kosovës, duke filluar nga këto kontrata që i kemi dorëzuar dhe kontratave të tjera në Telekom. Një prej tyre është kontrata milionëshe me ‘Z-mobile’ dhe të tjera që janë më të vogla në shifra, mirëpo që i kanë shkaktuar miliona dëme Telekomit të Kosovës”, pat deklaruar asokohe Lami Balaj, Kryetar i Federatës Sindikale të PTK-së.

Mirëpo gjendja që nga viti i kaluar për PTK-në, nuk ka ardhur duke u përmirësuar. “Senzacionet” kanë vazhduar edhe gjatë këtij viti.

Shaqir Qerimi, sipas raportimit të disa mediave, është punësuar pak pa i mbushur të 60-tat. Për më keq, ai ka lidhje familjare me një deputet. Bëhet fjalë për deputetin nga radhët e PDK-së Mërgim Lushtakun. Thuhet se Shaqir Qerimi, është vjehrri i Lushtakut.

Një tjetër punësim, i dyshimtë është lidhur edhe me një tjetër deputet. Muharrem Nitajt, deputetit nga radhët e AAK-së, i është punësuar djali Genc Nitaj.

Vet deputeti i ka mohuar akuzat se ai ka ndikuar në punësimin e djalit të tij, ndërsa e ka justifikuar atë duke thënë se: “ai ka përgatitje fantastike”.

Reaksionet për këto skandale, s’kanë qenë veçse virtuale. Deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku, duke i komentuar këto punësime, ka shkruar ndër të tjera se njerëzit e tillë janë të mbrapshtë dhe të rrezikshëm:

“Çka pritët prej tyre? Janë të pangopur, të mbrapshtë dhe të rrezikshëm.- 7 deputetë të pushtetit i kanë punësuar familjarët e tyre në Telekom. Thonë se janë më të zotit; s’ka si ta në Kosovë. Njëri madje tha se po i bënte nder Kosovës. Në Parlament, të njëjtit ndërsa, na mbajnë ligjërime moralizuese e vajtuese mbi devalvimin e PTK-së. Pyesin pse po falimenton?”

Sipas Abdixhikut, janë me qindra familjarë ose militantë partiakë që janë punësuar së fundmi në këtë institucion:

“-234 familjarë e militantë partiak janë punësuar në Telekomin e Kosovës vetëm gjatë kësaj qeverisje. Proporcionalisht kanë punësuar më shumë se Telekomi Gjerman. Është hera e dytë që ia kalojmë Gjermanisë. E para kishte të bënte me numrin e ministrive në Qeveri.

Këta pasurinë e Kosovës e shohin si plaçkë. Si pronë të tyre, si shpërblim. Për vetëm 1 vit e gjysmë qeverisje, kanë kapur me pangopësi secilën mundësi. Nga gjysmë milion eurot e pavarësisë, tek 53 milionë eurot e Bechtelit. Nga rritja e pagave për vete tek vërshimet punësuese nëpër asete. Por, “me rëndësi taksa”. Me të jemi 100% shtet.”

Varianti i shpëtimit të PTK-së, sipas disave, është privatizimi i saj, mirëpo edhe në këtë drejtim ka pasur të pakënaqur. Vet sindikalistët e këtij institucioni, e kanë  kundërshtuar një ide të tillë. Duket sikur fati i saj jo vetëm që është shkruar, por tashmë edhe po dihet: PTK do të falimentojë!/Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet