Vitin tjetër në OKB

Albinot Maloku

Punimet në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, edhe këtë vit, filluan pa Kosovën. Duke mos qenë ende anëtare me të drejta dhe obligime të barabarta me shtetet sovrane e të pavarura brenda organizatës në fjalë, i duhet ende punë deri te anëtarësimi.

Republika e Kosovës e shpalli pavarësinë e saj me 17 shkurt të 2008-tës, dhe që nga ky moment ajo e fillojë maratonën e shtet-ndërtimit në aspektin e brendshëm, po ashtu edhe në atë të jashtëm. Shpallja e pavarësisë nuk i parapriu edhe anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e bile kjo shpallje nga kundërshtarët e Kosovës u konsiderua e njëanshme. Ky cilësim bëri që edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, organizëm ky i OKB-së, të shtjelloj legalitetin e kësaj shpalljeje të pavarësisë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së atëbotë, me rezolutën 63/3 të miratuar me votën e 77 vendeve, 6 ishin kundër, kurse 74 abstenuan, i kërkoi GJND-së që të jap një mendim këshillëdhënës. Çështja u artikulua përmes pyetjes e cila u shtrua para GJND-së, respektivisht para AP të OKB-së nga anëtarja e saj Republika e Serbisë, ishte: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse në përputhshmëri me të drejtën ndërkombëtare?” Menjëherë pas kësaj procedure, duke u mbështetur në Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i dorëzoj Gjykatës dosjet me dokumentet të cilat kërkoheshin për përgjigjen e pyetjes së parashtruar. Pas të gjitha procedurave GjND konstatoi, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Përveç kësaj, GJND konfirmojë se autorët e Deklaratës së Pavarësisë nuk ishin Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës, dhe ata nuk kishin as një lidhje me kuadrin e kompetencave të përcaktuara nga IPVQ. Kjo nga fakti që në Deklaratë thuhet “Ne përfaqësuesit e zgjedhur të popullit tonë Deklarojmë pavarësinë e Kosovës…”. Po ashtu GJND konfirmojë se as Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por as Korniza Kushtetues nuk janë shkelur. Deklarata e shpalljes së pavarësisë nuk e cenon të drejtën e aplikueshme ndërkombëtare.

Ky rast nga lobuesit e Kosovës, e sidomos nga Qeveria, nuk arriti të marr hovin e duhur për t’i konfirmuar botës se Republika e Kosovës, plotësisht ka të drejt që pas shpalljes së pavarësisë së saj, të pranohet edhe në organizatën globale të shteteve, pra në OKB-së. Kjo ndodhi për dy arsye, e para, Serbia në bashkërendim me Bashkimin Evropian, menjëherë pas humbjes së betejës me drejtësinë ndërkombëtare, e çeli rrugën për propozimin e një dialogu të saj me Kosovën nën ndërmjetësimin e BE-së. Kjo kërkesë po ashtu u miratua nga AP e OKB-së, dhe dialogu, (siç njihet formati zyrtar) mes palëve fillojë në 2011. Ky dialog i njohur në fillim si teknik e më pastaj politik, i ndërroj kursin e lëvizjes gjithë asaj vëmendjeje e interesi që kishin shtetet e ndryshme për ta njohur individualisht shtetin e pavarur të Kosovës.

Dhe e dyta, nevoja shumëdimensionale e Republikës së Kosovës për t’u bërë anëtare e OKB-së u hijezua nga agjenda e re e dialogut, e që ky dialog po del të jetë pa afat të skadencës. Sot, kjo organizatë i numëron 193 anëtare, nga të cilat 111 e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës.

Republika e Kosovës e themeloj Ministrinë e Punëve të Jashtme menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, ku ministër i parë u emërua Skender Hyseni i cili më pastaj u pasua nga Enver Hoxhaj, e ky nga Hashim Thaçi, postin e të cilit e zuri së fundi, i rikthyeri, Enver Hoxhaj. Mungesa e një eksperience më të gjatë shtetërore, e sidomos në dikasterin e punëve të jashtme, ministria në fjalë pati sfida e suksese. Gjatë kësaj kohe sa ekziston MPJ e Kosovës është folur për lëshimet dhe mundësitë, por edhe për të arriturat dhe pengesat gjatë rrugëtimit. Shteti i Kosovës duke i pa të gjitha mundësit e saja deri më tani, ka një shtrirje jo të vogël të diplomacisë, me një numër të pranuar të ambasadave e konsullatave në vende të ndryshme të globit. Shtrirja gjeografike e tyre është optimale, ku këtu janë 25 misione diplomatike e ambasada, 27 konsullata dhe disa seksione konsullore të cilat i mbulojnë edhe 24 shtete tjera jo-rezidente. Shteti i Kosovës ka edhe raporte të ndryshme bilaterale e multilaterale, por nuk është anëtar i OKB-së.

Natyrisht, pengesa më e madhe e Kosovës në procesin e anëtarësimit në OKB, mbetet Serbia. Kjo e fundit e ndihmuar nga Rusia, maksimalisht, me gjithë mekanizmat e vet shtetëror ka lobuar kundër shtetit të pavarur të Kosovës. Ndërkohë që qëndrimi abstenues i Republikës Popullore të Kinës, është shfrytëzuar shkëlqyeshëm nga ana e Serbisë, aq sa kjo e fundit e ka cilësuar si mbështetëse të saj.

Republika e Kosovës dhe Qeveria e saj pavarësisht raporteve të mira me forcat e mëdha perëndimore, për të ardhur deri të anëtarësimi në OKB do të duhej të ndërronte kursin e politikës së jashtme. Ajo do të duhej shfrytëzuar konstelacionet ndërkombëtare për t’i kthyer në favor të vetin, e kjo nënkupton përpjekjen e forcimit të kontakteve edhe me dy anëtaret kundërshtuese, pra Federatën Ruse dhe Republikën Popullore të Kinës. Shteti i Kosovës duhet të bëjë politikë për interesa të veta, natyrisht, por që të dëshmohet më serioze në arenën ndërkombëtare, nuk duhet t’i klasifikojë shtetet e tjera si kualitative dhe më pak kualitative. Ndaj të gjitha anëtareve të OKB-së, Republikën e Kosovës duhet të ketë qasje të bazuara mbi interesa. Konfrom kësaj, synimi ‘vitin tjetër në OKB’ duhet të jetë kursori kryesor i Qeverisë dhe shtetit të Kosovës, deri në anëtarësimin e Republikës tonë në OKB. Shteti i Kosovës nuk guxon të arsyetoj mos anëtarësimin e saj në OKB përmes mendimit të Thomas Grant-it se “Një shtet mbetet shtet edhe kur është apo nuk është anëtar i OKB-së”.

Kategoritë
ANALIZA JAVORE

Të ngjajshmet

  • Nëntori

    Albinot Maloku Thuhet se nëntori është muaj i shqiptarëve. Data e 28-të e këtij muaji, në vete ndërlidh disa momente historike, por ndër më të rëndësishmet mbetet Shpallja e...
  • Tribunali

    Albinot Maloku Dhjetori i këtij viti do të jetë muaj i cili do të përmbyllë punën gati tri dekadëshe të mekanizmit i cili u themelua për të ndjekur penalisht...
  • Zëvendësministrat

    Albinot Maloku  Ndonëse debatet rreth zgjedhjeve lokale nuk do të përfundojnë deri më 19 nëntor, kur edhe do të përmbyllet raundi i dytë, për komunat që kanë shkuar në...
  • Njohjet

    Albinot Maloku Diplomacia e Kosovës është sinonim i dështimit. Me gjasë, secili zyrtarë që është emëruar si Ministër i Jashtëm i Kosovës, këtë pozitë e ka perceptuar si prestigj...