Visar Zeka: Është epokë e vizualizimit, e imazheve dhe fotografive. Kjo e ka pluhurosur librin në vitrinë

Profesor Visar Zeka, vjen nga Mitrovica. Atje e ka të përfunduar shkollimin parauniversitar, ndërsa studimet Bachelor dhe Master i ka kryer në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin gjuhë dhe letërsi angleze. Përvoja e tij në zanatin e përkthyesit, është mjaft e gjatë. Ai ka qenë i angazhuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa viteve të fundit, kontributin e tij, është duke e dhënë në arsim.

Në këtë intervistë, Zeka, reflekton pikërisht mbi problemet që e shoqërojnë sistemin parauniversitar dhe universitar në Kosovë, për korrikulat, metodat e mësimdhënies dhe nevojën për reforma të mirëfillta në sistem.

GER: Profesor Zeka, cilin e konsideroni problemin më të madh në sistemin arsimor në Kosovë?

 Zeka: Le ta përqendrojmë përgjigjen e kësaj pyetjeje tek arsimi parauniversitar. Diagnostifikimi i problemeve të dukshme në arsim mendoj se nuk kërkon kushedi se çfarë hulumtimesh. Problemet vërehen fare lehtë, meqë ato tashmë notojnë mbi sipërfaqe. Fjala vjen, ne mund të nisim nga tërë infrastruktura, tekstet dhe mjetet shkollore, logjistika, klasët e mbingarkuara, sjelljet, mungesat dhe braktisjet e mësimit nga nxënësit, integriteti moral, etik, pedagogjik dhe kualifikimet përkatëse të mësimdhënësve, deri tek roli kyç i prindërve në mbarëvajtjen e tërë procesit shkollor. Nuk është se çdo shkollë në Kosovë ballafaqohet me këto apo probleme të ngjashme. Por shkolla të tilla, fatkeqësisht, janë përjashtime. Reforma në arsim, veç tjerash, mendohet edhe si kurim i këtyre problemeve. Konvecionalisht, reformat në arsim vijnë nga lartë poshtë, pra nga qeveria (cilado qeveri) tek shkollat. Tek ne ky proces është i lidhur kryekëput me interesa të ngushta politike dhe komerciale, shtoja kësaj përfshirjen e mangët të vet mësimdhënësve me përvojë në proceset e vendim-marrjeve për çështje jetike të arsimit, dhe kurimi vetëm sa bëhet edhe më i vështirë, në mos i pamundur për t’u realizuar. Shprehur në terma mjekësorë, unë e shohë tërë këtë ndërmarrje reformash tek ne vetëm si përpjekje për kurim simptomatik, por gjithsesi i domosdoshëm për sistemin e tanishëm arsimor. Diagnostifikimi dhe kurimi tërësor i problemeve më të thella, mendoj se kërkon analiza shumë më të hollësishme, të cilat tejkalojnë nivelin vendor dhe lidhen ngushtë me të rimenduarit dhe transformimin e tërë sistemit arsimor. Meqë priremi t’i kopjojmë modelet e të tjerëve, pse të mos mendojmë edhe rreth atyre zërave jo të rrallë alternativë që mendojnë dhe përpiqen të shohin përtej shablloneve rigjide të sistemit të sotëm arsimor.

GER: Përkundër pretendimeve se janë bërë disa reforma, duket që ky sistem, veçanërisht segmenti parauniversitar, ende nuk është “çliruar” nga hegjemonia e të ashtuquajturave reforma, pse?

 Zeka: Reformat e gjertanishme në arsim janë përqendruar kryesisht në standardizim kurrikulash dhe testesh, gara nxënësish dhe shkollash dhe përfitime ekonomike. Unë mendoj se reformat do ta vazhdojnë hegjemoninë dhe dështimin e tyre për sa kohë që ato t’i anashkalojnë, sipas ekspertit eminent të arsimit, Ken Robinson, sugjeron katër qëllime themelore të arsimit publik: 1. Ekonomik, kontributi i të cilit është mirëqenia jonë afatgjate dhe stabiliteti financiar. Këtu është tejet vitale të kultivohet tek nxënësit pavarësia ekonomike, kreativiteti dhe origjinaliteti ashtu që ata ta jetësonin atë në rrethana tejet ndryshuese ekonomike, në veçanti tek zhvillimet marramendëse në teknologji, që gjithsesi ka prekur çdo cep të vendit tonë. Ky kultivim nuk arrihet dot nga rutinat e sistemit të sotëm arsimor. Por te ky parim duhet pasur shumë kujdes që sistemi arsimor të mos i shohë nxënësit vetëm si burime njerëzore dhe makina të gjalla të robëruara në kompani por si qenie njerëzore me nevoja, dëshira, kapacitete, potenciale, dhe ambicie të ndryshme. Sistemi arsimor japonez do të ishte shembull i këtij parimi.  2. Kulturor, t’i çmojnë vlerat e tyre tradicionale, kombëtare, fetare, dhe respektojnë diversitetin e të tjerëve. 3. Social, pjesëmarrje aktive në diskurset e ndryshme publike, siç janë përfshirja e komuniteteve të vogla në mbarëvajtjen dhe mikromenaxhimin e shkollave dhe institucioneve tjera arsimore, aktivitetet e drejtpërdrejta të nxënësve në vetrregullimin e sjelljeve të tyre, diskutime të ndryshme mbi drejtësinë, moralin, etikën, etj., dhe se si jetësohen ato në jetën e përditshme. Në disa shkolla kemi ca praktika të tilla! 4. Personal, arsimimi para se gjithash është ngritje personale. Nxënësit duhet parë si individë të veçantë, të ndarë, e jo si një tërësi, apo turmë njëkrerëshe! Nxënësit individualisht kanë prirje, talente dhe shkathtësi të ndryshme. Secili mëson në mënyrën e vet dhe ndryshe nga tjetri (inteligjencat e shumëfishta). Me fjalë tjera, sistemi arsimor duhet patjetër t’ua ushqej e jo t’ua shuaj nxënësve kreativitetin, talentin, gjenialitetin dhe prirjet e tyre. Që kjo të arrihet, sistemi arsimor duhet të transformohet kah diversiteti i nxënësve e jo ta mbajë gjallë e për gazep konformitetin e sotëm e kështu të prodhoj idiotë funksionalë. Nxënësit nuk shkojnë në shkollë vetëm sa për t’iu nënshtruar disa rregullave strikte shkollore, bërjes së detyrave të shtëpisë, veshjes së uniformave, mbajtjes së disiplinës, testeve standarde dhe vlerësimeve, dhe suksesit të përgjithshëm nëpër lëndë. Derisa ky ndryshim të ndodhë (nëse veç ndodhë ndonjëherë!), u mbetet vetëm mësimdhënësve dhe drejtuesve të shkollave që të bëjnë, sipas asaj që rekomandon Ken Robinson: 1. ndryshime brenda sistemit, duke e mbajtur larg politikën ditore, 2. të marrin iniciativa jashtë sistemit, dhe 3. pse të mos kërkojnë edhe ndryshimin e vet sistemit aktual. Arsimimi i mirëfilltë ndodhë midis nxënësve dhe mësuesve dhe jo nëpërmjet dhomave të legjislaturave dhe retorikave të ca politikanëve. Pra ndryshimi rrënjësor duhet të vije nga poshtë lartë.

GER: Përse korrikulat për shkollimin parauniversitar, ngjajnë të jenë aq të ngarkuara, si i komentoni ato?

 Zeka: Kurrikula e arsimit parauniversitar është pjesë integrale e reformave në arsim. Janë mbajtur dhe ende po mbahen trajnime të mësimdhënësve për zbatimin e saj në mbarë vendin nga të gjithë mësimdhënësit. Kurrikula, në veçanti ato lëndore, kanë shpërputhje me tekstet aktuale të arsimit parauniversitar. Kurrikulat bërthamë janë të mbingarkuara me pritshmëri rezultatesh të ndryshme, duke filluar nga më të voglat, njësitë mësimore deri tek më të mëdhatë, kompetencat kryesore, pra ato që do të vihen në jetë të përditshme jashtë shkollës nga nxënësit. Zbatimi i kurrikulave ka shkaktuar mjaft huti dhe kokëçarje të panevojshme tek mësimdhënësit dhe drejtuesit e shkollave. Është shpenzuar shumë kohë dhe mund në përpilimin e planeve ditore, javore, mujore dhe vjetore duke i mbingarkuar ato me gjëra që kërkohen fjalëpërfjalshëm nga kurrikulat përkatëse. E tërë vëmendja dhe energjia është përqendruar në shkresurina dhe plotësim letrash, pra ajo çfarë ndodhë jashtë klasës, larg nxënësve, e jo tek mësimdhënia e vërtetë brenda klasës, afër nxënësve. Dakord, na duhen plane të tilla, por jo ato të jenë të mbingarkuara dhe me pritshmëri joreale, ekspertët botërorë të arsimit tërheqin vërejtjen që ato të jenë sa më pak të ngarkuara (less is more!). Dhe jo ato të bëhen derti kryesor i mësimdhënësve dhe shkollave. Veç kësaj, dhënia pas kurrikulave ka çuar në shpenzime të kota të letrave, ngjyrave dhe parave. Kjo më pas ka rezultuar në probleme të shumta logjistike dhe të papërballushme për shkolla. Ky problem ka mundur fare lehtë të zgjidhej në mënyrë elektronike, vetëm me ca klikime! Preokupimi me kurrikula paraqet rrezik potencial ngase kjo dalëngadalë e deprofesionalizon mësimdhënësin, ia heq autonominë e tij në klasë duke ia zbeh kësisoj kreativitetin e tij. Ai më nuk do të interesohet tek ajo çfarë realisht ndodhë në klasë me nxënësit e tij por vetëm tek testet standarde dhe zbatimi i fjalëpërfjalshëm i kurrikulave, gjë që më pas e dërgon pashmangshëm në demoralizim.

GER: Këto metoda të mësimdhënies, nuk duket që janë duke dhënë rezultate. A duhet patjetër të torturohen nxënësit dhe studentët me kaq shumë teste të panevojshme e të shpeshta?

 Zeka: Ka një prirje të gjithandejshme që vlerësimi i nxënësve të realizohet përmes testeve të shpeshta. Prindërit me të drejtë ankohen se fëmijët e tyre janë vetëm duke u testuar e jo duke marrë mësime të duhura. Testet e tilla dhe në përgjithësi mbjellja e kulturës së testimeve i privojnë nxënësit nga leximi, kreativiteti i tyre dhe ua humb interesimin e përgjithshëm për mësim ngase motivim i tyre i vetëm mbetet kalimi i testeve dhe arritja e ca notave! Ato për shumë nxënës janë të dëmshme ngase më shumë i ndëshkojnë ata sesa që i vlerësojnë realisht. Mësimdhënësit në anën tjetër do t’i mësonin nxënësit e tyre vetëm sa për kalim testesh. Kjo tek ne ka rezultuar në mashtrime dhe kopjime të shumta, sidomos në cirkun e testeve kombëtare të arritshmërisë ku, sipas asaj që flitet haptazi, fatkeqësisht, përfshihen edhe disa mësimdhënës! Testimet e shpeshta mund të sjellin pasoja të rënda për shëndetin e nxënësve. Studime të shumta që janë bërë në SHBA dhe në disa vende tjera të zhvilluara, alarmojnë se nxënësit, po iu nënshtruan testeve të shpeshta, fillojnë ta shohin se sa vlejnë në shoqëri vetëm përmes testeve. Notat e ulëta vetëbesim i ulët, status i ulët. Studimet gjithashtu nxjerrin në pah atë se trysnia e vazhdueshme mbi nxënës që të arrijnë nota të larta përmes mbitestimeve çon në depresion dhe çrregullime mendore. Mbitestimet janë në veçanti të dëmshme për filloristët e vegjël sepse ato, veç dëmeve tjera, siç thotë linguisti dhe filozofi i shquar, Noam Chomsky, i ndajnë fëmijët në të mençur dhe budallenj që nga bankat shkollore dhe këtë ata e marrin shumë afër zemrës! Testet duhet reduktuar, sidomos ato summative (përmbledhëse), dhe ato të mos bëhen assesi kriter kryesor i notës përfundimtare, kjo madje parashihet edhe me kurrikulë! Unë i rekomandoj testet formative sepse ato më duken më reale, më të gjithanshme, më të drejta në vlerësim dhe shumë më pak të dëmshme, në kuptimin e stresit që shkaktojnë tek nxënësi para dhe gjatë testit. Në sistemin arsimor finlandez, për shembull, nuk ka teste standarde, kemi vetëm një provim në fund të shkollës së mesme të lartë. Finlanda, në vend të garave dhe testeve, inkurajon bashkëpunimin mes shkollave dhe nxënësve përmes shkëmbimit të ideve, burimeve dhe ekspertizës.

GER: Keni të bëni me breza që nuk lexojnë, a e keni gjetur çelësin që t’i motivoni?

Zeka: Është epokë e vizualizimit, çdo gjë ka tendencë të vizualizohet. Është epokë e imazheve dhe fotografive, të cilat dinë të jenë, jo rrallë, tejet irrituese. Kjo e ka pluhurosur librin në vitrinë. S’besoj se ka ndonjë çelës magjik që do ta hapte portën e një biblioteke të madhe ku do të turreshin të gjithë për të lexuar. Çdo shkollë, përveç fushave sportive dhe hapësirave rekreative, duhet ta ketë patjetër një bibliotekë të pajisur mirë, me bibliotekistë libërdashës, me një enterier të bukur dhe tërheqës për nxënësit dhe me një ambient të këndshëm. Veç kësaj, duhet të organizoheshin çdo ditë orë të veçanta leximi për nxënësit, ku ata do të lexonin për qejfi dhe t’i diskutonin librat e preferuara…pa u testuar për to!

GER: Meqë keni përvojë në të dy sektorët, atë privat dhe publik, çka mund të na thoni: cila anë është duke përparuar më shumë?

 Zeka: Sa i përket anës logjistike dhe infrastrukturës në përgjithësi, arsimi privat, në veçanti ai universitar, mendoj se ka ecur diç më përpara se ai publik. Kanë autonomi më të mëdha në zbatimin e metodave dhe teknikave të ndryshme të mësimdhënies, qasje të ndryshme ndaj vet nxënësve, por edhe për sa i përket mënyrës së vlerësimit. Pra vërehet një përparim. Unë mendoj se shkollat dhe kolegjet private universitare do të duhej të ishin vatra të njëmendta prej nga do të nisnin ndryshimet rrënjësore në arsim, të ishin shembull i cilësisë së lartë. Nëse ato nuk e bëjnë dot ndryshimin, dhe ndjekin rrugën e njëjtë, atëherë ç’do t’i dallonte ato nga simotrat e tyre publike?!

GER: Për fund fare, ç’mendim keni për edukimin joformal? Sepse siç e dini, një nxënës a student i interesuar, ka aq shumë burime informacioni në dispozicion, sa që nuk i mungon asgjë, mjafton të jetë i motivuar!?

Zeka: Autori amerikan, John Taylor Gatto, i cili qe shpallur mësuesi i vitit në New York për tri vite radhazi, 1989, 1990 dhe 1991, promovoi brenda kontekstit amerikan, shkollimin në shtëpi (homeschooling). Sipas tij, mësimin e natyrshëm përmes praktikave jetësore dhe lëndëve që i përzgjedh vet nxënësi (unschooling), dhe marrjen e mësimeve jo përmes shkollimit konvencional formal por përmes burimeve të ndryshme (open source learning), nën mbikëqyrjen e mentorëve dhe mësuesve të lëmive përkatëse. Nisur nga qasja jashtëzakonisht e lehtë në burime të panumërta informatash, edhe autorë dhe ekspertë të tjerë ndërkombëtarë mbështesin idetë e mësipërme, jo vetëm brenda një konteksti të caktuar por edhe më gjerë. Ata argumentojnë se këto metoda dhe filozofi të arsimit motivojnë dhe plotësojnë shumë më mirë nevojat dhe interesat e nxënësve. Por jo vetë këtyre të fundit, por edhe kërkuesve të tjerë të dijes, duke rezultuar dukshëm më të frytshme në përballje me sfidat e llojllojta moderne, në veçanti ato që vijnë nga bota e teknologjisë dhe industrisë. Mendoj se këto ide do duhej ta kapnin vëmendjen tonë dhe t’i shikonim ato më për së afërmi. Tekefundit, gjenitë si Steve Jobs, Elon Musk, Nikola Tesla, Benjamin Franklin, bashkë me shumë të tjerë, a s’janë produkt i drejtpërdrejtë i shkollimit jokonvencional?!/Gazetaere.com/

 

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet