Vijat e kuqe në politikën kosovare

Përditë e më shumë po intensifikohen aktivitetet e partive politike. Emisionet televizive po “vjellin” nga debatet. Në qendër të vëmendjes janë zhvillimet politike në vend. Ndërsa 22 gushti po avitet, zyrtarët e partive të mëdha po përpiqen që t’i rikuperojnë raportet me ato që po i cilësojnë si partnere në qeverisjen e ardhshme, ndërsa të tjerave që t’u shkaktojnë “plagë të reja” – shkruan Gazeta e Re.

Vijat e kuqe – është një metaforë që përdoret dendur në diskursin politik. Ka një histori të hershme, origjina e së cilës shpesh edhe ngatërrohet. Mirëpo kuptimi mbetet i qartë: tregon kufirin e një veprimi, një marrëdhënie, një raporti ndërmjet subjekteve, përkatësisht entiteteve politike. Bëhet fjalë për cepet ekstreme, ose kufijtë ekstrem të tolerancës. Kur ShBA-të në kohën e luftës së ftohtë vinin “vija të kuqe” ndaj BRSS-së dhe anasjelltas, kjo nënkuptonte që të dy palët, nëse e kalonin kufirin e këtyre vijave, mund t’i çonin palët në konfliktin e ftohtë, drejt një lufte konkrete.

Origjina e metaforës, ndërlidhet më shpesh me ‘Marrëveshjen e Linjës së Kuqe’, e vitit 1928. Ndërmarrjet e mëdha të naftës nga Britania e Madhe, ShBA-ja dhe Franca, në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane, kornizuan marrëveshjen për biznesin e naftës, ndërsa kufijtë e perandorisë nuk ishin ende të qartë.

Disa shkojnë më tej, duke u kredhur në histori, e duke gjetur paralele të ngjashme ndërmjet grekëve, romakëve e mbase edhe helenëve. Por e vërteta është se sot përdoret mjaft shpesh në fjalorin politik.

Në Kosovë, ky togfjalësh ripërtypet mjaft shpesh në kohë fushatash zgjedhore. Për sa herë trokasin zgjedhjet, zyrtarët e partive të ndryshme politike, kanë për “t’ia treguar njëri tjetrit” vijat e kuqe.

Kështu, për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), vijat e kuqe të saj nënkuptojnë përjashtimin nga çfarëdo bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

«Ne e respektojmë vullnetin e anëtarësisë dhe vullnetin e organeve të LDK-së, vullneti i afetarisë nuk është që ne të bëjmë koalicion me PDK-në» – ka ripërsëritur Kryetari i LDK-së Isa Mustafa në një intervistë dhënë ekonomiaonline. Sipas tij për këto vija të kuqe ndaj PDK-së, është dakorduar edhe me strukturat e tjera të partisë që e drejton. Arsyeja është e thjeshtë, me këtë parti «e cila ka shkelë marrëveshjen  e koalicionit me ne, e cila ka dalë se i ka përkrahur demonstratat e dhunshme, grevat e dhunshme, protestat e dhunshme kundër qeverisë tonë, edhe pse ka qenë pjesë e asaj qeverie dhe së bashku me ta ka organizuar peticion të mosbesimit ndaj qeverisë», nuk ka arsye të provohet një rast i dytë.

Pozicion të njëjtë ka marr edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Krerët e lartë të këtij subjekti, po ashtu kanë thënë se vija të kuqe kanë ndaj PDK-së. Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vijat e kuqe nuk ekzistojnë për asnjë subjekt politik.

«Nuk ka pas zënka mes partnerëve të koalicionit. Deklaratat e liderëve të partive politike nuk dua t’i komentoj asnjëherë. Kemi parimet tona si subjekt dhe si individë, dhe jemi përgjegjës veç për ato që ne i themi. E thash në fillim; parimisht jemi me shku vetëm në zgjedhje, porse kjo nuk varet nga ne. Nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik» – ka thënë së fundi Ahmet Isufi në një intervistë për gazetaexpress. Zyrtari i lartë i AAK-së e ka bërë të qartë që ai dhe subjekti i tij mendon se «as që duhet të ketë vija të kuqe për partitë shqiptare. Secila ka programin e vet politik, ofertën zgjedhore dhe që të gjitha kanë synim mirëqenien e qytetarëve, mirëpo jo të gjitha munden me u përballë me tema…»

 

Së fundi është spekuluar për një bashkim të tri subjekteve AAK-së, NISMA-s Socialdemokrate dhe Partisë Social Demokrate (PSD-së) në një koalicion parazgjedhor. Vet Isufi nuk e ka mohuar këtë mundësi, duke lënë të nënkuptohet që veç është diskutuar për një gjë të tillë.

Duke i komentuar të gjitha këto lëvizje që po ndodhin përpara 22 gushtit, analisti Imer Mushkolaj ka thënë se partitë politike janë duke kalkuluar si t’i mbijetojnë tregut politik. Koalicionet e mundshme ai i ka cilësuar si koalicione të frikës: «Koalicionet ndërmjet partive politike nuk janë koalicone të shpresës, as programore, as ideologjike. Janë koalicione të frikës, të panikut, të mbijetesës. Për këtë shkak, janë në gjendje të bëjnë kalicion edhe me dreqin. Po të ishte ndryshe, secila parti do të garonte veç e veç. Për të parë realisht kush sa vlen».

Mirëpo duket që shumica e drejtuesve të partive politike, nuk e kanë guximin t’i futen vetëm për vetëm garës zgjedhore. Pragu prej 5% duket i lartë, ndërsa koalicionet mund të ofrojnë edhe një mundësi të dytë, përveç futjes në parlament: atë të pushtetit. Dihet tashmë që partia, apo koalicioni (që është bërë para ditës së zgjedhjeve), me më së shumti vota, e fiton të drejtën për formimin e qeverisë. Prandaj, prej këndej rrjedh kujdesi i disa subjekteve, për sa i përket shqiptimit të metaforës ‘vija të kuqe’./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet