Veturat e vjetra dhe ndotja e ambientit

Një problem i kahershëm, i cili është ngritur disa herë si shqetësim deri në nivelet më të larta të institucioneve të vendit, është edhe ai i përdorimit të veturave të vjetra, të cilat konsiderohen si një ndër burimet ndotëse të ambientit. Institucionet po kujtohen të merren me të, vetëm kur po futemi në muajt e ftohtë të vitit – shkruan Gazeta e Re. 

Kufizimi që ndalonte importimin e veturave më të vjetra se 10 vite, është hequr para disa muajsh, ndonëse në raportet e viteve të kaluara cilësohej si një ndër faktorët që ndikon në ndotjen e ambientit. Kufizimi ishte pjesë e Ligjit për Automjetet, përkatësisht në njërin prej neneve, i cili është larguar me vota nga anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Mërgim Lushtaku, deputet i PDK-së, pat gjetur përkrahje për kërkesën e tij edhe nga deputetët opozitarë. Kështu Hikmete Bajrami nga radhët e LDK-së dhe Liburn Aliu nga radhët e vetëvendosjes, e patën arsyetuar Lushtakun, propozimi i të cilit pat kaluar pa asnjë votë kundër.

Të dhënat, nga ana tjetër, tregojnë që importi i veturave të vjetra, ka qenë përherë i lartë dhe me një tendencë për rritje, ndërsa vjetërsia e tyre, faktor kyç në ndotjen e ambientit.

Disa nga të dhënat që ofron Instituti GAP, flasin se ky problem i kahershëm, ka ekzistuar këtu e sa dekada, ndërsa tendencat për ta rregulluar nëpërmjet ligjeve, nuk kanë dhënë rezultate.

“Mesatarja e vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vite, apo 10 vite më shumë se sa mesatarja e veturave që qarkullojnë në Bashkimin Evropian”, thonë hulumtimet e GAP, të cilat bazohen në të dhënat për vjetërsinë mesatare të veturave të regjistruara për vitin 2018.

I njëjti institut, vë në dukje që “mesatarja vjetërsisë së veturave të regjistruara në Kosovë” në periudhën 2010 – 2015, ka qenë direkt e ndikuar nga vendimet e institucioneve relevante në vend.

“Rritjes së mesatares së vjetërsisë së veturave në masë të madhe i ka kontribuar vendimi i qeverisë i vitit 2011, për lejimin e importit të veturave të përdorura deri në 13 vite, nga 8 sa kishte qenë më herët” – thonë të dhënat e institutit.

Por këtë vit, vetëm para pak muajsh, normat ligjore që rregullonin këtë çështje, janë shfuqizuar nga vet parlamentarët.

Por e çuditshme është që nuk ka pasur kurrfarë reagimi, pa çka që fundvitin që shkoi disa qytetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile patën organizuar protesta, duke kërkuar llogari nga institucionet e vendit, për ndotjen e ajrit, përkatësisht indikatorët që ndikojnë në ndotjen e tij. Keku, Ferronikeli dhe veturat, janë cilësuar disa herë si ndër burimet që e ndotin më së shumti ajrin. Nga vet Instituti Kombëtar i Shëndetësisë është vënë në dukje që kontaminimi i ajrit në përmasa shqetësuese, vjen, para së gjithash, edhe nga veturat e vjetra të cilat qarkullojnë nëpër Kosovë.

Ua kujtojmë që fundvitin e kaluar, kryeqyteti ynë, është renditur në listën e kryeqyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Por nga ky “trend” negativ, nuk ka arritur të zhvendoset as këtë vit. Mediat raportojnë se Air Quality Index (AQI), në indeksin e ndotjes, Prishtina renditet ende shumë keq. Me fjalë të tjera, cilësia e ajrit është shumë jo e shëndetshme./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet